Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja turpërohet në Lezhë nga Luftëtari

Lezhjanët janë mundur thellë në fushën e tyre nga gjirokastritët.
Besëlidhja ka humbur në mënyrë të turpshme para tifozërisë së saj ndaj gjirokastritëve të cilët kanë ditur të shfrytëzojnë mjaft mirë dobësitë e lezhjanëve. Tekniku Gjetja ka hedhur në fushë tre futbollistë që luajnë për herë të parë me ekipin lezhjan. E pikërisht Alushin, Hamzon e Karriqin. Të ardhur vetëm një ditë para ndeshjes janë bërë pjesë e skuadrës lezhjane për arsye që tashmë dihen. Por gjithsesi loja e dobët e lezhjanëve dhe mungesa e luftës sportive ka irrituar tifozërinë lezhjane, e cila është larguar e pezmatuar nga stadiumi. Ndërsa është pritur që reparti i prapavijës të ishte në lartësinë e detyrës, paraqitja e futbollistëve të saj ka qenë krejt zhgënjyese. Ata kanë gabuar disa herë sa për pasaktësi e për keqvendosje por më së shumti edhe për mungesë të zbatimit të detyrave në mbulimin e sulmuesve e mesfushorëve gjirokastrite, të cilët duhet thënë se nuk kanë njohur pengesa për tu afruar në zonën lezhjane. Veçanërisht në pjesën e parë skuadra lezhjane ka qenë tërësisht e shthurur ku prapavija ishte e çorientuar dhe vija e parë inekzistente. Kanë qenë të pamjaftueshme përpjekjet e Romeo Hamzos në pjesën e parë në rolin e organizatorit e në të dytën si sulmues i mirëfilltë, teksa shërbimet e tij për të tjerët kanë qenë të shpeshta por të pakonkretizuara. Besëlidhja në këtë takim u paraqit me kostumin më të keq të saj dhe krijoi imazh të keq duke larguar tifozerinë nga stadiumi pa përfunduar ndeshja. Skuadra gjirokastrite erdhi në Lezhë e pa fjalë por në fushë punë shumë, taktikisht mjaft e qartë dhe tregoi mjeshtëri në përdorimin e armës tipike e tradicionale, kundërsulmit. Gjirokastritët jo vetëm kanë merituar fitoren e thellë, por mund të shënonin edhe më dhe në ndeshjen e djeshme treguan se ata janë pretendentë kryesorë për Superiore.

Besëlidhja Luftëtari 0:3
Besëlidhja: Koçi, Malota, Danaj, B.Toma, Hamzai, Gruda, Kruja, Karriqi (Marku 28′), Haxhia (Shyti 46′), Malasi, Alushi (Buraku 70′). Trajner: V.Gjetja.
Luftëtari: Miço, M.Brahimi, Taçi, Sinani, Kaci (Idrizi 75′), K.Brahimi, Stoja, Kola, Dimo, Allamani (Myrtaj 65′), Lamnica. Trajner: A.Çulli. Shënues: Allamani 10′, Lamnica 55′, Stoja 90′ Gjyqtarë: A.Beqiri, D.Agaraj, R.Avdo (Tiranë) Kartonë të verdhë: Allamani, M.Brahimi, Miço
Back To Top