Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja merr tripikëshin e parë në Lezhë

Beselidhja - Ada 3:0
Përballja midis këtyre dy skuadrave pritej të ishte e fortë, pasi për koincidencë, të dyja i kishin humbur ndeshjet e para në fushat e tyre, Besëlidhja 0 3 me Luftëtarin dhe Ada po me këtë rezultat me Burrelin। Gjithashtu, këto skuadra kishin marrë nga një pikë në transfertë, lezhjanët me Bilisht-Sportin dhe Ada ndaj Laçit në Shijak. Loja fillon e shpejtë nga të dyja palët, por janë vendësit ata që dominojnë dhe rrezikojnë që në minutat e para. Ata ekzekutojnë me shpejtësi dy goditje këndi dhe rrezikojnë në dy tre raste, për të ardhur në minutën e 7-të, kur Kruja, pas një aksioni të lezhjanëve, ka spikatur me qetësinë e tij brenda zonës dhe shënon golin e parë. Epërsia vendëse vazhdon, por edhe miqtë hera-herës rrezikojnë me anë të kapitenit të tyre, Etrit Nika, dhe sulmuesit Beqiri. Por sërish lezhjanët e kontrollojnë lojën dhe në fundin e pjesës së parë sulmuesi i ri Ralf Sokoli, i ka të gjitha mundësitë ta dyfishojë rezultatin. Ndërhyn kapiteni Nika dhe topi devijohet në goditje këndi. Mbyllet kështu pjesa e parë, që është dominuar plotësisht nga vendësit. Pjesa e dytë ka një tablo tjetër. Vendësit shënojnë dy herë, por duhet thënë se shpërdorojnë shumë e shumë raste. Rezultati i pjesës së parë ndryshon në 5 minutat e fundit të takimit. Miqtë nga Velipoja, të nervozuar nga rezultati, e tensionojnë hera-herës lojën, sa që prej minutës së 67-të, të dyja skudrat luajnë me nga 10 lojtarë. Kapiteni i Adës, Nika, dhe i futuri në pjesën e dytë për Besëlidhjen, Bruka, ndëshkohen me karton të kuq. Pasi lezhjanët çlirohen nga gracka e tensionimit të lojës, dalin në lojën e tyre dhe rrezikojnë disa herë, mirëpo golat shënohen në fund. Në minutën e 85-të, Malasi dyfishin, ndërsa në minutën e fundit është Hamzai që vulos rezultatin, duke realizuar një gol falë aftësive të tij individuale. Duhet thënë së vendësit e merituan fitoren dhe mund të kishin shënuar gola të tjerë, nëse do të tregoheshin më të kujdesshëm. Gjithsesi, është ende herët për të thënë se Besëlidhja ka hyrë në udhën e skuadrave, që pretendojnë superligën. Ajo ka sigluar në fushën e saj një fitore të vlefshme dhe mbi të gjitha ka rikthyer publikun e zhgënjyer, pas asaj humbjeje me Luftëtarin. Gjykimi i ndeshjes hera-herës ka qenë inkompetent, pse jo në disfavor të dukshëm të skuadrës vendëse. Thanë pas ndeshjes Valentin Gjetja, trajner i Besëlidhjes: “Loja në takimin e sotëm kishte dy tablo: në pjesën e parë ishim efektivë, dominuam mbi kundërshtarin dhe shënuam shpejt, kurse në pjesën e dytë, pavarësisht se shënuam dy gola, ishim të çorganizuar. Lojtarët dolën nga skemat taktike dhe vepruan individualisht, ndaj humbëm shumë raste. Kam vërejtje për gjykimin, që ishte tërësisht i amullt dhe provokativ. Morëm 3 pikë të vlefshme, që më kënaqin, por jo loja e ekipit.” Kreshnik Krepi, trajner i Adës: Nuk pranoi të prononcohet। Besëlidhja: Koçi, B.Toma, S.Toma. Danaj, Gruda, Malasi (Tula 85′), Beqiri (Noka 65′), Hamzai, Shyti, Kruja, Sokoli (Bruka 46′). Trajner: V.Gjetja. Ada: Dervishaj, E.Nika, Tafaj, Kraja, Ferlushkaj, Smakaj (Marku 35′), Beqiri, Verri (Matia 68′), Lleshi, Ndoja, A.Nika. Trajner: K.Krepi. Shënues: Kruja 7′, Malasi 85′, Hamzai 90′ Gjyqtarë: B.Ziri (Fushë-Krujë), A.Shkëmbi, F.Meta (Tiranë) Kartonë të verdhë: Kruja, Bruka, Tafaj, E.Nika, Lleshi Katonë të kuq: E.Nika 67′, Bruka 67′
Back To Top