Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Beselidhja merr piken e pare

Lezhjanët kanë marrë të shtunën pikën e parë në fushën e Bilisht-Sportit, duke mbetur 5 pikë pas rivalëve
Skuadra lezhjane duhet të ishte bashkë me skuadrat kryesuese të kategorisë së parë, Burrelin, Skënderbeun dhe Luftëtarin, por në fakt është shumë prapa. Lezhjanët, pas dy javëve të para të kampionatit, kanë marrë vetëm një pikë dhe mbajnë vendin e 13-të. Eshtë vetëm fillimi i kampionatit dhe gjërat mund të ndryshojnë, por Besëlidhja duket se do ta ketë të vështirë, sepse lufta për vendet e para do të jetë mjaft e fortë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Gjetja nuk ka arritur të shënojë ende golin e parë në kampionat, çka tregon se sulmi ka probleme. Pas barazimit në fushën e Bilisht-Sportit, që nuk duhet konsideruar një kundërshtar i lehtë, trajneri lezhjan u shpreh se skuadra e tij i ndjeu shumë mungesat në atë ndeshje. Gjithashtu, ai tha se pret që Besëlidhja të përmirësohet në vazhdim të kampionatit. Këtë do të tregojë ndeshja e radhës me Adën, që shihet si një mundësi shumë e mirë për marrjen e 3-pikëshit të parë nga lezhjanët. Ndoshta humbja në shtëpi me Luftëtarin i ka goditur keq psikologjikisht lezhjanët, pasi ata kanë lënë pikë të rëndësishme ndaj një rivali të drejtpërdrejtë. Megjithëse koha për ndeshjen e dytë të kampionatit ishte më e gjatë, lezhjanët nuk mundën të reagonin me fitore. Barazimi në Bilisht është disi shpresëdhënës për një ndryshim të Besëlidhjes në javët në vazhdim, por gjithçka do ta vërtetojë fusha. Lezhjanëve u duhet të rikuperojnë shumë pikë, nëse vërtet duan të pretendojnë kthimin në superligë, kështu që në takimin me Adën, fitorja është e vetmja alternativë për ta. Besëlidhja do ta luajë në Lezhë këtë ndeshje dhe në pamje të parë duket se fitorja është e sigurt, ndërkohë që Ada kërkon vlerësim maksimal, sepse të shtunën që shkoi ajo arriti t’i marrë një barazim Laçit.
Back To Top