Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja mund Sopotin 2-1

Lezhjanët kanë regjistruar fitoren e 2-të radhazi në fushën e tyre, duke fituar terren në renditje.

Besëlidhja: Koçi, B.Toma, Malota, S.Toma, Danaj, Gruda, Shyti, Malasi (Noka 50′), Hamzai, Kruja (Beqiri 80′), Haxhia (Sokoli 75′). Trajner: V.Gjetja.
Sopoti: Guma, Hoxha (E.Karaj 82′), Mehmetaj, Bahiti, Ahmeti, Moqi, Malluta, Shkupi (Lezi 80′), A.Beqiri (K.Karaj 37′), Hajdari, Plepi. Trajner: B.Kola.
Shënues: Gruda 22′, Shyti 28′/ Plepi 37′Gjyqtarë: R.Sadiku, E.Gançi (Elbasan), M.Qeseri (Shkodër)Kartonë të verdhë: Koçi, Kruja, Ahmeti

Besëlidhja fiton përsëri në fushën e saj, këtë radhë ndaj Sopotit. Pa dyshim që ka qenë një epërsi e vendësve në këtë 90-minutësh, që kanë pasur shumë raste shënimi, por nuk kanë finalizuar si duhet dhe kanë shënuar vetëm dy herë. Në euforinë e dy golave të lezhjanëve, miqtë nga Librazhdi, në të vetmin rast që kanë dalë në sulm, kanë ngushtuar diferencën e golave me Plepin. Pjesa e parë dominohet tërësisht nga vendësit, ku spikat Mirsad Gruda, i kudondodhur. Shpesh, ai bëhet protagonist i shumë aksioneve për Besëlidhjen, që humbet shumë raste deri në minutën e 22 të, kur Gruda, pas një topi të marrë nga Malasi, zhbllokon rezultatin. Epërsia e vendësve vijon dhe vjen minuta e 28 të, kur Shyti ndjek me vëmendje një aksion të shokëve të tij dhe, ndonëse në një pozicion të vështirë, gjuan saktë, duke shënuar golin e dytë. Në të vetmin rast, në minutën e 37-të, miqtë nga Librazhdi shënojnë me anë të Plepit. Pjesa e dytë ka një tabllo tjetër, me Besëlidhjen që ka epërsi në lojë, por që nuk arrin të shënojnë. Ndërkohë, edhe miqtë nga Librazhdi rrezikojnë disa herë. Hajdari për Sopotin dhe Hamzai për Besëlidhjen, i kanë të gjitha mundësitë të shënojnë dhe ta ndryshojnë rezultatin. Vendësit krijojnë shumë raste për të shënuar në portën e Gumës, por nuk kanë fat. Ndeshja përfundon 2 1 në favor të Besëlidhjes, që i gëzohet fitores. Lezhjanët ngjiten kështu në kuotën e 7 pikëve, ndërkohë që për t’u përmendur është fakti se kryetari i Komunës Kolsh, z.Andi Marku, për fitoren e djeshme, ka akorduar një shpërblim prej 150.000 lekësh.

Thanë pas ndeshjes
Valentin Gjetja, trajner i Besëlidhjes: “Më gëzojnë tri pikët, pasi kundërshtari shpalosi vlera. Loja pati momente të mira, por hera herës edhe miqtë na rrezikuan. Mund ta konsideroj ndeshje të rasteve të humbura, sepse reparti i sulmit çaloi. Edhe era pati ndikimin e vet në këtë ndeshje.”
Besnik Kola, trajner i Sopotit: “Jam i kënaqur nga loja e ekipit, sidomos për pjesën e dytë. Gjithashtu, i përgëzoj vendësit për kushtet që na krijuan. Uroj që këtë klimë sportive ta kenë edhe klubet e tjera. Kur luhet “fair play”, pak rëndësi ka kush fiton. Ne nuk na ndihmoi fati, ndërsa Besëlidhjes i uroj suksese.”
Back To Top