Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Perpara ndeshjes Beselidhja - Ada

Lezhjanët, pavarësisht se luajnë në fushën e tyre, po përgatiten për një ndeshje të vështirë
Nga të gjitha ato skuadra që mendoheshin pretendente për në superligë, vetëm Besëlidhja ka bërë një start të dobët të kampionatit, duke marrë vetëm 1 pikë në dy ndeshje. Për arsye të ndryshme, lezhjanët nuk kanë ndërtuar atë skuadër që pritej, sepse shumë lojtarë me eksperiencë janë larguar. Gjithsesi, ata kanë një grup të ri, me të cilin trajneri Valentin Gjetja do të përpiqet të bëjë më të mirën e mundshme në këtë kampionat. Pas barazimit me Bilisht-Sportin në fushën e këtij të fundit, lezhjanët presin nesër në fushën e tyre Adën, që arriti të ndalte Laçin javën e fundit. Duke pasur parasysh këtë fakt, drejtuesit dhe futbollistët e Besëlidhjes po përgatiten për një ndeshje të vështirë, edhe pse ajo do të zhvillohet në stadiumin e Lezhës. Mendohet që ndaj Adës të luajë po ai formacion, që barazoi me Bilisht-Sportin, por këtu bën përjashtim kapiteni Sokol Toma, i cili do të jetë i gatshëm për trajnerin Gjetja. Rikthimi i kapitenit stabilizon repartin e mbrojtjes, ndërkohë që synimi i lezhjanëve do të jetë zhbllokimi sa më i shpejtë i rezultatit, në mënyrë që skuadra të dalë në lojën e saj. Futbollistët që janë në përbërje të skuadrës lezhjane kanë një moshë relativisht të re, ndaj dhe stafi teknik ka kërkuar të zhvillohet një lojë e kujdesshme. Tifozët lezhjanë, të cilët me të drejtë u zhgënjyen javën e parë të kampionatit, kur Besëlidhja u mund 3-0 në shtëpi nga Luftëtari, nesër presin kthesën. Ndeshja me Adën duhet fituar me çdo kusht, që më pas Besëlidhja t’u rikthehet pretendimeve të shpallura para nisjes së kampionatit. Mësohet se në rast fitoreje do të ketë edhe një shpërblim për futbollistët lezhjanë, por shumë nuk është bërë e ditur. Tashmë futbollistët duhet ta tregojnë në fushë se Besëlidhja është në gjendje të luftojë për superligën, ashtu si skuadrat që udhëheqin aktualisht renditjen e kategorisë së parë.
Back To Top