Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Beselidhja mundet nga Naftetari

Naftëtari Besëlidhja 3 1
Naftëtari: Gjoka, A.Kanani, Kaja, Delibashi, S.Gega, A.Gega, Çela (Kopaçe 78′), Çobo (Rroshi 65′), Okshtuni, Bullgari, Lena.Trajner: V.Capo.
Besëlidhja: Koçi, S.Toma, B.Toma, S.Danaj, Malota (Sokoli 46′), Gruda, Malasi (Duraku 70′), Hamzai, Shyti, Kruja (A.Bruka 35′), Haxhia. Trajner: V.Gjetja.
Shënues: A.Kanani 20′ (11 m), Çobo 58′, Okshtuni 79′/ Haxhia 55′
Gjyqtarë: E.Jorgji, E.Bodeci, A.Mahmuti (Elbasan)Kartonë të verdhë: Okshtuni, Lena, B.Toma, S.Danaj

Një fitore plotësisht të merituar kanë arritur dje kuçovarët, të cilët e kanë mposhtur në të gjitha drejtimet Besëlidhjen. Në fakt, lezhjanët vinin me pretendime të mëdha në këtë ndeshje, duke e parë atë si një mundësi për t’u futur në zonën e kryesuesve. Por ka rezultuar e kundërta, sepse Naftëtari luajti mjaft mirë dhe lezhjanët ishin me fat, pasi mund të humbisnin më thellë. Miqtë kanë barazuar, por përkohësisht, pasi furtuna e kuçovarëve ka qenë e fortë. Vendësit e kanë kërkuar fitoren që në fillim, duke e zhvendosur lojën në gjysmëfushën mike. Ndërsa lezhjanët mbrohen me kujdes dhe kundërsulmojnë me dyshen e rrezikshme, Hamzai Kruja. Ky i fundit zëvendësohet shumë shpejt nga trajneri Gjetja. Në minutën e 18 të fitohet një penallti nga Naftëtari, pas prekjes së topit me dorë nga një mbrojtës lezhjan. Protestojë miqtë dhe pas 2 minutash, kapiteni Adriatik Kanani nuk gabon. Në minutën e 35 të, vendësit humbasin mundësinë për ta dyfishuar rezultatin, ndërsa 3 minuta përpara përfundimit të pjesës së parë, Okshtuni i gëzohet një goli me kokë, që anulohet për pozicion jashtë loje. Pjesa e dytë është më e bukur, edhe pse vazhdon të bjerë një shi i dendur. Tapeti natyral i “Bashkim Sulejmanit” është në gjendje perfekte. Lezhjanët, në kërkim të golit të barazimit, e harrojnë mbrojtjen dhe vuajnë lodhjen, për shkak të ritmit të lartë të futbollistëve kuçovarë. Adrian Gega është “truri” i skuadrës vendëse dhe shpesh ai jep pasime të sakta për shokët. Okshtuni bën të pamundurën, kur i vetëm me Koçin, nuk shënon. Ky shans i humbur i ndëshkon kuçovarët, që më pas pësojnë gol. Haxhia shënon për Besëlidhjen, por kuçovarët reagojnë menjëherë. Pas 3 minutash, Çobo shënon me kokë dhe kaq i mjafton Naftëtarit për të qenë i papërmbajtshëm. Vendësit krijojnë raste të panumërta, por vuajnë në finalizim, kurse lezhjanët e kërkojnë barazimin me aksione të dëshpëruara. Gruda rrezikon në minutën e 78 të, por pa rezultat dhe më pas vjen goditja fatale për Besëlidhjen. Kavajasi Okshtuni korrigjon gabimin e minutës së 49 të dhe shënon golin e 3-të. Naftëtari fiton dhe çlirohet nga ankthi i rezultateve jo të mira në tri javët e mëparshme. Kuçovarët “pajtohen” kështu me tifozët e tyre, ndërsa Besëlidhja duket se do ta ketë të vështirë rikthimin në superligë.
Back To Top