Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, tani për tani larg pretendimeve

Punët nuk kanë shkuar mirë për lezhjanët në 5 javët e para të kampionatit, ku ata, pas 2 fitoreve në fushën e tyre, janë mundur keq në Kuçovë nga Naftëtari. Nuk është çudi të humbasësh jashtë fushe, por 4 gola të pësuar, aq më tepër nga një kundërshtar si Naftëtari, të bëjnë të mendosh se kjo Besëlidhje nuk është gati të pretendojë superligën. Edhe veta pozicioni në renditje e vërteton këtë, pasi lezhjanët janë 8 pikë pas vendit të parë dhe 3 pikë pas vendit të dytë. Në fakt, diferenca me skuadrat që janë para Besëlidhjes, përveç Skënderbeut, nuk është e madhe, por ajo çfarë kanë dhënë lezhjanët deri tani, nuk të bind për t’i quajtur pretendentë. Duke menduar edhe faktin se këtë sezon ka një konkurrencë të madhe për superligën, vështirë se djemtë e trajnerit Velentin Gjetja mund t’i mbajnë me shpresë tifozët lezhjanë, të cilët janë zhgënjyer së tepërmi nga humbja e javës së fundit. Eshtë deklaruar nga drejtuesit e klubit lezhjan se në fund të fazës së parë do të zgjidhet një herë e mirë problemi financiar, por duket se deri atëherë do të jetë tepër vonë, sepse Besëlidhja do të jetë shumë prapa me pikë dhe nuk do të arrijë të bëjë gjë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se futbollistët e këtij ekipi duhet të dorëzohen. Për të qenë sa më pranë grupit të pretendentëve për në superligë, lezhjanët duhet t’i fitojnë të paktën ndeshjet në fushën e tyre dhe të shpresojnë për ndonjë barazim jashtë. Javën e ardhshme në Lezhë vjen Gramozi, që mban vendin e 3-të, me pikë të barabarta me Luftëtarin dhe Dajtin, kështu që Besëlidhja duhet ta tregojë se çfarë është në gjendje të bëjë: të luftojë për objektivin e shpallur në fillim të sezonit, apo të mendojë që tani për të ardhmen.
Back To Top