Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Beselidhja mund kryesuesen

Lezhjanët kanë fituar thellë me kryesuesit, duke luajtur ndeshjen më të mirë deri tani
Besëlidhja - Skënderbeu 4 - 1
Besëlidhja: Koçi, S.Toma, Malota, Gruda, Hamzai, Buraku, Shyti (Alushi 77′), Malasi, Haxhia (Lini 85′), Kruja (Sokoli 46′).
Trajner: V.Gjetja.
Skënderbeu: Llapanji, Kote (Demiri 46′), Drabaj (Ballço 53′), Alcani, Xaka, Çajku, Lika, Shkoza, Shkëmbi, Gega, Tiko (Frashëri 60′). Trajner: R.Rrapo.Shënues: Gruda 14′, Malasi 57′, Haxhia 70′, 85′ / Shkoza 86′

Ka qenë një ndeshje me një interesim maksimal nga ana mediatike, pasi përballeshin dy ekipe, që vitin e kaluar kanë qenë në superligë. Ishte përballja e 35 të ndërmjet tyre dhe në 34 ndeshjet e kaluara thuajse gjithçka ishte në baraspeshë, nga 12 fitore për secilën skuadër dhe 10 barazime. Vetëm golaverazhi ishte në favor të vendësve me plus 2 gola.
Në këto kushte, të dyja palët synonin fitoren, madje Skënderbeu vinte në Lezhë me petkun e kryesuesit të kategorisë së parë dhe kishte si objektiv shkëputjen nga ndjekësit. Edhe Besëlidhja synonte kthesën dhe në fund ia ka arritur qëllimit, pasi ka fituar 4-1. Trajnerët vendës ishin entuziastë për një rezultat pozitiv, që e kanë realizuar me një lehtësi akademike.
Besëlidhja është shfaqur tepër e motivuar dhe e vendosur mirë në fushë. Formacioni lezhjan, i përbërë nga djem të rinj, 6 nga të cilët sapo kanë mbushur 19 vjeç, ka dominuar në çdo drejtim. Repartet e Besëlidhjes kanë qenë të harmonizuar mirë dhe futbollistët kanë lëvizur në bllok, si në sulm ashtu dhe në mbrojtje.
Para së gjithash, lezhjanët janë shquar për grintë, luftë sportive, shpirt gare dhe dëshirë për fitore. Nuk mund të veçohen individë, pasi e gjithë skuadra ka luajtur në grup. Koçi, Toma, Malasi, Malota, Kruja, Hamzai, si lojtarë me përvojë, janë gërshetuar më së miri me të rinjtë Gruda, B.Toma, Buraku, Shyti, Alushi, Haxhia, Sokoli e Lini.
Besëlidhja e ka zhbllokuar shpejt rezultatin, duke shënuar një gol të bukur me Grudën nga 25 metra. Ai ka ekzekutuar mjeshtërisht një goditje dënimi, duke e dërguar topin poshtë, ngjitur me pingulen e djathtë të Llapanjit. Edhe tre golat e tjerë kanë qenë shumë të bukur, sidomos dy golat e shënuar nga i riu Haxhia, i cili ka treguar vlerat e tij si nuhatës goli.
Tepër aktiv dhe goditës i portës është shfaqur edhe Sokoli në pjesën e dytë, kur ka rrezikuar dy herë portën korçare. Kanë funksionuar shumë mirë edhe mesfusha e mbrojtja. E thënë shkurt: ka qenë një ansambël i harmonizuar mirë. Ekipi nga Korça nuk ka shfaqur asgjë nga vlerat e tij si kryesues. Ishte vendosur keq në fushë dhe futbollistët ishin si të mpirë, mbrojtja e pasigurt dhe e vendosur gabim, mesfusha thuajse nuk tregoi asgjë në këtë ndeshje, ndërsa sulmuesit, me përjashtim të dy tri rasteve, nuk janë shfaqur fare te porta e Koçit.
Në pjesën e parë Koçi ka qenë spektator në fushë. Duhet thënë se Skënderbeut i mungoi grinta dhe lufta sportive. Futbollistët vetëm ecnin në fushë, gabonin në pasim dhe nuk arrinin të realizonin 2 3 pasime të sakta. Vetëm rasti i golit të nderit ka qenë një aksion model dhe një gol i realizuar me mjeshtëri nga Shkoza. Vetëm kaq është tepër pak për një ekip kryesues dhe ka diçka që nuk shkon te Skënderbeu, por më mirë i dinë drejtuesit e tij. Kështu, Besëlidhja shkatërron keqazi korçarët, duke e merituar plotësisht fitoren.

Valentin Gjetja, trajner i Besëlidhjes: “Më kënaq fitorja, por më shumë jam i kënaqur me lojën, shpirtin e garës, luftën sportive dhe dëshirën për fitore. Këto janë garanci që më bëjnë të besoj shumë tek ekipi. I falënderoj të gjithë pa përjashtim. Kam besim se këtë muaj do të zgjidhim edhe problemet financiare.”
Back To Top