Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja shpërdoron shumë, vetëm barazim me Tërbunin

Lezhjanët nuk fitojnë dot as në fushën e tyre, duke vazhduar të notojnë në ujëra të turbullta

Besëlidhja - Tërbuni 1 - 1

Besëlidhja: Koçi, S.Toma, B.Toma, Dani, Malota, Gruda, Malasi, Shyti (Buraku 46′), Hamzai (Ndoka 76′), Kruja (M.Haxhia 46′), L.Haxhia. Trajner: V.Gjetja.
Tërbuni: Selimaj, Neziri, Sukaj, Kepi, Hasani, Isufi, Tafili, Terolli (Gokaj 33′), Kaloshi (Meta 70′), Ahi (Dibra 59′), Përtafi. Trajner: Y.Zani.
Shënues: M.Haxhia 47′/Isufi 63′
Gjyqtarë: S.Disha (Memaliaj), P.Goxhaj, P.Puto (Gjirokastër)
Kartonë të verdhë: Koçi, S.Toma, Dani, Kruja, Isufi, Terolli

Besëlidhja nuk arrin të fitojë në fushën e saj me Tërbunin, duke vërtetuar kështu edhe një herë se nuk mund të pretendojë për superligën. Ndeshja ka filluar e shpejtë dhe secila skuadër ka tentuar të shënojë, madje miqtë nga Puka janë shfaqur tepër entuziastë. Ata janë përkrahur nga shumë dashamirës, që kanë mbushur shkallët e stadiumit “Besëlidhja”, duke i lënë në minorancë sportdashësit vendës.

Loja zhvillohet në mesfushë derisa Përfati mund të kishte shënuar, por goditja e tij ka qenë e pasaktë. Përpiqen futbollistët vendës të organizohen në mesfushë, por nxitohen në pasim, duke gabuar, e për pasojë mbrojtja mike e ka të lehtë t’i kontrollojë manovrat sulmuese të lezhjanëve. Dhe dy goditjet nga distanca të Grudës e Tomës kanë përfunduar jashtë kuadratit.

Pukjanët kanë rastin për të shënuar në minutën e 40 të, kur Gokaj ka dhënë një asist për Ahin, i cili ka dalë vetëm përballë Koçit, por ky i fundit ka bërë mrekullinë. Kështu, është mbyllur në barazim pa gola pjesa e parë. Në pjesën e dytë, trajneri Gjetja ka larguar nga fusha Krujën e Shytin për t’i zëvendësuar me 17-vjeçarin Mirsad Haxhia e 18-vjeçarin Buraku.

Sulmi lezhjan është përbërë kështu nga vëllezërit Haxhia. Dhe kjo ndërhyrje e Gjetjes ka rezultuar e suksesshme, kur Mirsad Haxhia, në minutën e 47 të, topin e ardhur nga korneja e ka dërguar në rrjetën pukjane, duke shënuar golin e parë me fanellën e të rriturve të Besëlidhjes. Goli e ka ndezur lojën dhe vendësit synojnë të shënojnë përsëri, kurse miqtë duan të barazojnë.

Dhe ia arrijnë qëllimit në minutën e 63 të, me anë të Isufit, i cili u ka rrëshqitur bukur mbrojtësve dhe i vetëm përballë Koçit nuk ka gabuar. Kërkojnë me këmbëngulje të dyja palët të shënojnë përsëri, por loja është disi e nervozuar dhe shkaktar shpesh bëhet gjyqtari. Kështu, Tërbuni merr një pikë me vlerë në Lezhë, kurse Besëlidhja vazhdon të notojë në ujëra të turbullta.

Thanë pas ndeshjes

Valentin Gjetja, trajner i Besëlidhjes: “Futbollistët luftuan mjaft, zhvilluan volum loje, krijuan raste, por ishin të pasaktë në finalizim. U ndëshkuam nga një gabim në vendosje i mbrojtjes. Gjykimi për mendimin tim ishte ekstremisht i njëanshëm. Futbollistët u acaruan, duke rënë në kurthin e ngritur nga miqtë, të cilët na provokuan me çdo mjet. Ne do të shohim përpara.”

Ylber Zani, trajner i Tërbunit: “E kishim vlerësuar maksimalisht ndeshjen. Ne treguam vlera dhe jam i kënaqur nga loja. Krijuam shumë raste, por i shpërdoruam. Lamë dy pikë në Lezhë. Rëndësi ka që në çdo ndeshje po tregojmë vlera loje dhe kjo më jep siguri për rezultate pozitive.”
Back To Top