Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Gjetja për “guinnes”, lekë borxh për të shpërblyer lojtarët!

Trajneri i Besëlidhjes, i detyruar nga mosmbajtja e premtimit, ka gjetur një zgjidhje mjaft origjinale

Besëlidhja me meritë e ka mundur thellë 4 1 kryesuesen e kategorisë së parë, Skënderbeun e Korçës. Siç e pohojnë të gjithë specialistët dhe sportdashësit lezhjanë, Besëlidhja ka zhvilluar ndeshjen më të mirë në këto 8 javë të kampionatit.

Trajneri Gjetja ka arritur t’i motivojë futbollistët, të cilët kanë demonstruar shpirt gare dhe dëshirë për fitore. Ata kanë qenë tepër korrektë në zbatimin e detyrave taktike, duke luajtur në bllok. Por fitoren lezhjanëve ua kanë lehtësuar edhe miqtë nga Korça, që e kishin marrë lehtë ndeshjen, ndoshta duke e gjykuar Besëlidhjen nga rezultatet e 7 javëve të para.

Goli i pësuar shpejt i ka befasuar dhe kontraktuar korçarët dhe ata kanë pësuar përsëri gol. Madje, nëse vendësit do të ishin treguar më të kujdesshëm para portës së Skënderbeut, rezultati do të ishte më i thellë. Tani fitorja ka kaluar, por jehona e saj vazhdon të ndihet çdo ditë në Lezhë, madje duke nxjerrë në sipërfaqe edhe mjaft probleme për Besëlidhjen.

Së pari, loja rezultative e ka bindur edhe sportdashësin më të thjeshtë se çfarë aftësish e mundësish ka ekipi. Pra, Besëlidhja tregoi se ka vlera për të prodhuar futboll dhe për të konkurruar për në superligë. Së dyti, sportdashësi lezhjan është ngrohur disi dhe i është afruar përsëri ekipit për ta mbështetur.

Madje ky afrim ka filluar të shtunën e kaluar, në pjesën e dytë, kur pas golit të parë shkallët e stadiumit janë mbushur. Ndërkohë, rezultati i ndeshjes me Skënderbeun ka qenë një thikë me dy presa për trajnerin Gjetja, i cili para ndeshjes kishte thënë se në rast humbjeje do ta shihte pozicionin e tij.

Tani që Besëlidhja ka fituar, atij dhe ekipit i është rikthyer oreksi për të synuar superligën, por ajo që është unikale dhe ndoshta për librin “Guinnes”, është veprimi i trajnerit Valentin Gjetja. Futbollistëve u është premtuar shpërblim në rast fitoreje me Skënderbeun, por premtimi nuk është mbajtur. I gjendur para këtij fakti dhe i vetëm përballë paralajmërimit të futbollistëve për bojkot të stërvitjes, ai ka bërë një zgjidhje origjinale. Trajneri Gjetja ka marrë rrogën dhe një sasi të hollash borxh te një miku i tij dhe u ka shpërndarë futbollistëve shpërblimin e premtuar.

Pas këtij veprimi, për “Sportin shqiptar” Gjetja thotë: “Fillimisht mbështeta kërkesën për bojkot të futbollistëve, në rast se nuk do të shpërbleheshin për atë fitore të vështirë, por të rëndësishme. Madje, u rreshtova në anën e tyre, por njëkohësisht po kërkoja që drejtuesit tanë t’i shpërblenin, sipas premtimit. Gjithashtu, kërkova edhe te disa biznesmenë që t’i shpërblenim lojtarët.

Dhe pasi nuk gjeta mirëkuptim me asnjë, u detyrova të futem borxh dhe, bashkë me rrogën time mujore, grumbullova lekët dhe ua ndava futbollistëve. Këtë e bëra për të qenë korrektë me ata që punoj dhe djersij çdo ditë. Do të vazhdoj të duroj derisa të soset durimi dhe shpresa. Jemi në një pikë kritike,” - përfundon Gjetja.

Pasi është zgjidhur në mënyrën më origjinale problemi i shpërblimit për fitoren me Skënderbeun, Besëlidhja ka vijuar përgatitjet për transfertën e Cërrikut. Ekipi ka një gjendje të mirë morale dhe synon të vazhdojë rezultatet e mira. Megjithatë, premtimi për të siguruar mbështetje financiare brenda muajit nëntor është ende në fuqi, pasi jemi vetëm në fillim të muajit.
Back To Top