Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Krutanët kanë fituar thellë me Besëlidhjen

Kastrioti - Besëlidhja 4 - 0

Kastrioti: Mustafa, Hoxha, Teqja, Prela (Balluku 74′), Lila, Roshi, Osui (Hyka 62′), Braho, Gocaj, Miçiç, Ziambo (Ahmeti 69′).
Trajner: R.Ndreu.
Besëlidhja: Demi, Mallota (M.Haxhiaj 46′), Danaj, Noka, Gruda, Malasi, Toma, Hamzai, Alushi, Shyti, L.Haxhiaj. Trajner: V.Gjetja. Shënues: Ziambo 14′, Braho 21′, Noka 58′(aut), Roshi 85′
Gjyqtarë: A.Beqiri, D.Rexha, R.Avdo (Tiranë)

Kastrioti ka zhvilluar një nga ndeshjet më të bukura në kampionat dje, kur ka mundur 4-0 Besëlidhjen fqinje. Vetë rezultati është një tregues i qartë i lojës së zhvilluar nga krutanët, të cilët nuk e kanë diskutuar në asnjë moment 3-pikëshin.

Ndeshja midis rivalëve nis mjaft e fortë dhe topi endet sa në njërën portë në tjetrën, por pa rezultat konkret. Miqtë nga Lezha, me gjithë mungesat në formacion, sidomos ato të mesfushorit Alket Kruja dhe portierit Koci, krijojnë idenë se nuk do të dorëzohen lehtë.

Por kjo ide ndryshon shpejt, sepse në minutën e 14-të, Ziambo e kalon skuadrën krutane në avantazh, pas kombinimit me Miçiçin dhe Roshin. Ky i fundit pason saktë në zonë nga e majta dhe afrikani finalizon bukur. Goli i shpejtë u jep krahë vendësve, të cilët vihen në kërkim të golave të tjerë. Dhe të dytin e gjejnë pas 7 minutash, me anë të Brahos, i cili realizon në pozicion ballor me portën.

Shënimi i dy golave sikur i vetëkënaq vendësit, të cilët e ulin ndjeshëm ritimin e lojës. Miqtë nga Lezha, të shokuar nga shënimi i dy golave, e kanë të vështirë të orientohen në fushë. Ka disa përpjekje të sulmuesve të Besëlidhjes, por që nuk sjellin rezultat. Pjesa e parë do të mbyllet me disa tentativa të sulmuesve krutanë, por pa sukses.

Pjesa e dytë nis mjaft mirë për Kastriotin, që hidhet në sulm. Goli i tretë do të vijë në minutën e 58-të, por për autor ka futbollistin lezhjan Noka. Topin e krosuar nga Ziambo, në përpjekje për ta dërguar jashtë, ai e dërgon në portën e tij dhe 3 0. Loja nuk ka më histori dhe skuadra vendëse kënaqet me 3 pikët dhe me golat e shënuar, ndërsa trajneri Ndreu u jep mundësinë të luajnë edhe të rinjve.

Goli i fundit, i shënuar në të 85-tën, ka për autor elbasanasin Roshi, i cili nga rreth 20 metra distancë, ka vulosur rezultatin e ndeshjes. Një fitore e merituar për skuadrën krutane dhe një zhgënjim i madh për lezhjanët. Duhet thënë se Besëlidhja ishte shumë larg asaj të sezonit të kaluar, që merrte pjesë në superligë.
Back To Top