Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Lesi: Ja e vërteta e “dhunës” në stadiumin e Lezhës

Drejtori ekzekutiv i klubit lezhjan sqaron gjithçka në lidhje me atë që ndodhi në ndeshjen me Tërbunin

Ndeshja Besëlidhja Tërbuni i ka pasur të gjithë elementet e një loje futbolli, me të mirat dhe të këqijat e saj. Kështu, ka pasur gola, raste të humbura, pritje të bukura nga portierët, luftë sportive, në ndonjë rast edhe jashtë rregullave, ndaj janë dhënë 7 kartonë të verdhë. Ka pasur gabime në gjykim dhe kontestime nga futbollistët e stafet teknike të të dyja skuadrave.

Por tension ka pasur edhe në shkallët e stadiumit, me përplasje fizike ndërmjet 3 4 tifozëve, që ka vazhduar pas ndeshjes në rrugë. Megjithatë, në asnjë rast tifozëritë nuk janë përfshirë në dhunë masive. Për gjithçka ka ndodhur, drejtorit ekzekutiv i futbollit lezhjan, Pjetër Lesi, tregon: “Organizimi i ndeshjes nga ana jonë ka qenë në lartësinë e duhur. I kemi porositur rojet e portave të stadiumit, që t’i orientojnë tifozët pukjanë për në tribunën B, që ishte caktuar për ata, siç bëhet për çdo ndeshje në Lezhë.

Duhet thënë se në Lezhë e rrethinat e saj, kanë zbritur shumë banorë nga Puka e fshatrat. Të ardhurit, ditën e ndeshjes, bashkë me ata që banojnë në Lezhë, janë bashkuar dhe nuk e kanë respektuar shumë porosinë tonë. Në stadium tifozëria pukjane ka qenë në maxhorancë të dukshme, sepse lezhjanët thuajse e kanë braktisur ekipin, për shkak të gjendjes jo të mirë. Incidenti ka ndodhur në tribunë nga dy tifozë kundërshtarë, të cilët janë konfrontuar edhe fizikisht.


Për pasojë, është gjakosur një tifoz nga Lezha. Në këtë zënkë janë përfshirë edhe të tjerë tifozë nga të dy kampet, shumica për të shuar sherrin. Menjëherë kanë ndërhyrë forcat e rendit, që kanë neutralizuar çdo gjë.

Pastaj, se çfarë ka ndodhur në rrugën nacionale, nuk dimë asgjë. Kjo është kompetencë e organeve të specializuara, ndërsa ne mund të themi se në fushë nuk ka pasur asnjë shenjë dhune mes futbollistëve. Dua të theksoj se stafi teknik i Tërbunit ka tentuar të futet disa herë në fushë, duke protestuar energjikisht kundër gjyqtarit.

Më flagranti ishte rasti, kur i gjithë stoli pukjan ka rrethuar dhe shtyrë anësorin për një pozicion jashtë loje. Dhe për çudi, gjesti i tyre nuk është dënuar nga gjyqtari, megjithëse u dhunua fizikisht kolegu i tij. Ky incident ka acaruar gjendjen në tribunë dhe kjo është zanafilla e përplasjes fizike ndërmjet dy tifozëve.”

Lajmin se ka pasur zënka edhe në dhomat e zhveshjes, ekzekutivi lezhjan e përgënjeshtron, duke thënë: “Në dhomat e zhveshjes nuk ka pasur asnjë shqetësim. Ekipet janë futur dhe kanë dalë nga dhomat e zhveshjes pa asnjë problem dhe bashkë me gjyqtarët janë larguar nga Lezha pa shqetësimin më të vogël.”

Në fund, Lesi sqaron edhe pozicionin e tij në këtë ngjarje: “Duke parë njëanshmërinë në gjykim gjatë pjesës së parë, jam futur në dhomat e gjyqtarëve dhe në prani të vëzhguesit të FSHF së, kam kërkuar një gjykim sa më të saktë e profesional, që të mos krijohet ndonjë sherr.

Me gjyqtarët e vëzhguesin jemi mirëkuptuar. Jam gjendur vërtet në vështirësi, pasi e shoh se në Lezhë ne nuk jemi të zotët e shtëpisë, pasi të gjithë jemi dhunuar në forma të ndryshme nga tifozëria dhe stafi teknik mik.”




Back To Top