Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

“Pa mbështetje financiare, superliga është një ëndërr”


Ndihmëstrajneri i Besëlidhjes, Alban Bruka, thekson se ekipi ka mundësi reale, por duhet siguruar financa

Me fitoren 4-1 ndaj Skënderbeut, ekipi lezhjan, ndonëse mjaft i ri, ka treguar se mund të synojë rikthimin në superligë. Ndihmësi i trajnerit Gjetja, Alban Bruka, duke bërë një analizë të javëve të para të kampionatit, beson se Besëlidhja është një pretendente e denjë. Ai thekson se ekipi nuk është harmonizuar ende si duhet, pasi ka shumë lojtarë të rinj në përbërje, por si problem parësor ai sheh sigurimin e anës financiare. Në një intervistë për, Bruka flet për fitoren me Skënderbeun dhe të ardhmen e Besëlidhjes.
Një fitore e thellë me Skënderbeun.
A ishte meritë e lojës suaj apo një ditë e keqe për korçarët?
Ishte 100% meritë e lojës sonë. Skuadra luajti shumë mirë taktikisht, me shpirt gare dhe dëshirë për fitore, si në asnjë ndeshje tjetër.
Ju jeni shprehur tepër optimist për fitore para ndeshjes.
Ku e bazonit këtë besim, kur luanit kundër kryesuesve të kategorisë së parë?
Besëlidhja luan mirë në ndeshje vendimtare, kundër ekipeve cilësore. Pastaj, kam luajtur me futbollistët korçarë dhe i njoh vlerat e tyre, ashtu siç njoh edhe vlerat e futbollistëve tanë. E vlerësuam maksimalisht ndeshjen, i motivuam futbollistët dhe e goditëm kundërshtarin në pikat e dobëta të tij.

Sikur tifozët janë ftohur me ju. A ju shqetëson ky fakt?
Patjetër që më shqetëson, por në ndeshjen me Skënderbeun stadiumi erdhi duke u mbushur. Dua të them se ata na kanë mbështetur vazhdimisht në ditë të mira e të këqija. Kjo fitore do t’i afrojë edhe më shumë, sepse ne kemi shumë nevojë për mbështetjen e tyre.
A do të jetë kjo fitore kthesa e Besëlidhjes për të synuar rikthimin në superligë?
Kjo është e vështirë për t’u pohuar, por jam i bindur se ekipi ka vlera dhe mundësi të mëdha, pasi ka në përbërje futbollistë cilësorë e me përvojë, si dhe djem të rinj që premtojnë. Por na duhet akoma punë për të harmonizuar veprimet mbrojtëse, organizative dhe sulmuese. Të rinjtë ende nuk janë harmonizuar si duhet, por edhe ata me përvojë kanë shfaqur luhatje, sidomos në ndeshjet jashtë fushe.
Si e shpjegon Bruka paraqitjen e dobët të Besëlidhjes në 7 javët e fillimit të kampionatit?
Pak a shumë, janë ato arsye që përmenda më sipër. Kemi krijuar një ekip të ri thuajse nga e para, pasi të gjithë titullarët u larguan për arsye financiare. Me Besëlidhjen aktuale janë 5 6 futbollistë të rinj 18 19-vjeçarë, të cilët janë titullarë. Ende ka probleme në harmonizimin e tyre, pasi nuk kanë luajtur asnjë ndeshje vitin e kaluar. Pastaj, ata kanë probleme edhe me gatishmërinë fizike, teknike dhe taktike për të përballuar 90 minuta çdo javë. Në ndeshjet jashtë fushës sonë ata mpihen, hutohen dhe gabojnë lehtë.
Sa besoni te premtimi se këtë muaj do të sigurohet financimi i Besëlidhjes?
Besoj në atë që kam vetë në dore për të bërë. Ndërsa për premtimin që thoni ju, shpresoj, pasi edhe shpresa vdes e fundit. Kemi ardhur deri këtu me “zorrë nëpër këmbë”, siç thotë populli, por është e pamundur të vazhdohet më tej. Po të realizohet ai premtim, them se Besëlidhja do të konkurrojë për në superligë, në të kundërt, objektivi mbetet thjesht një ëndërr vere. Dëshiroj t’u bëj thirrje biznesmenëve që të na mbështetin, sepse kemi nevojë. Nuk e mbaj mend këto 10 vitet e fundit, që kam luajtur me Besëlidhjen, këtë gjendje kaq të keqe financiare. Futbollisti këtë profesion ka dhe me të mban veten e familjen.
Cili është synimi i Besëlidhjes në transfertën e Cërrikut?
Synojmë një rezultat pozitiv. Për këtë do të punojmë gjatë javës dhe do të luftojmë në fushën e Cërrikut, por duhet t’i ruhemi euforisë, që mund të shfaqet në heshtje te ndonjë futbollist. Nuk e kemi luksin për të nënvlerësuar asnjë ekip. E vlerësojmë realisht kundërshtarin, por duhet të marrim maksimumin tonë, sepse kërkojmë pikë edhe jashtë fushës. Kërkoj vetëm të japim maksimumin e aftësive tona.
Back To Top