Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Turbina - Beselidhja 2-1

Turbina - Besëlidhja 2-1
Turbina: Toçi, Rada, Baçi, Turtulli, Kaptelli (Miraka 90′), Bejleri, Bodurri (D.Curri 46′), Begolli, Metaj (Balla 88′), Sadiku, Akamba. Trajner: I.Ibaj.
Besëlidhja: Koçi, S.Toma, B.Toma, Malota, Danaj (Sokoli 54′), Gruda (Doraku 60′), Hamzai, Shuti, Malasi, Haxhia, Alushi.
Trajner: V.Gjetja.
Shënues: Akamba 48′, Sadiku 83′ / Haxhia 85′
Gjyqtarë: L.Alla, A.Guçe, A.Bejtja (Lushnjë)
Kartonë të verdhë: Bodurri, Akamba

Turbina i rikthehet fitores në “Nexhip Trungu”, në prani të mijëra sportdashësve cërrikas, duke mundur 2-1 Besëlidhjen. Minutat e para janë të qeta, me përjashtim të një rasti, kur Begolli, nga një goditje standarde, rrezikon. Miqtë janë të tërhequr në zonën e tyre dhe, gjatë 30 minutave të para, e rrezikojnë seriozisht portën e Toçit, vetëm me anë të Hamzait.

Cërrikasit, të udhëhequr nga Erald Begolli, krijojnë raste të pastra, por nuk e zhbllokojnë rezultatin. Mund të përmendim rastin e sulmuesit Sadiku, i cili del i vetëm me portierin Koçi, por nuk e dërgon topin në rrjetë. Në minutën e 42-të, Metaj merr një top të saktë nga Akamba dhe godet, por Koçi pret me lehtësi. Pjesa e dytë është më e nxehtë dhe me surpriza.


Pasi kalojnë 3 minuta, Akamba shënon golin e parë për Turbinën, duke çuar peshë tifozërinë e zjarrtë vendëse. Miqtë lezhjanë janë të shpërqendruar dhe Baçi, kapiteni i skuadrës cërrikase në këtë ndeshje, është pranë golit të dytë. Në minutën e 76-të, miqtë barazojnë me Hamzain, por goli anulohet nga anësori Guçe për pozicion jashtë loje.

Kundërshtari vihet sërish në lëvizje dhe, pas një pakujdesie të mbrojtjes cërrikase, ata i afrohen shumë barazimit, këtë radhë me Malasin, por portieri Toçi është i pakalueshëm. Cërrikasit nuk janë të kënaqur me rezultatin minimal dhe bëjnë presing. Në minutën e 83-të, do të jetë Sadiku që dyfishon rezultatin. Turbina e vazhdon presingun e saj dhe një minutë më pas Metaj humbet një tjetër rast.

Goli i vetëm për miqtë realizohet me lehtësi nga sulmuesi Haxhia, i cili depërton me mjeshtëri në mbrojtjen cërrikase. Gjithsesi, minutat e mbetura nuk mjaftojnë për të pretenduar barazimin dhe Turbina tashmë është më e qetë. Cërrikasit tani mund të përgatiten rehat për dy ndeshjet e javës së ardhshme.


Thanë pas ndeshjes

Ibrahim Ibaj, trajneri i Turbinës: “Ishte një ndeshje e vlerësuar në maksimum nga ana jonë dhe në fund dolëm fitues. Kishim raste të njëpasnjëshme, por nuk ditëm t’i shfrytëzonim. Besoj se skuadra është çliruar, pas humbjes në Librazhd. Suksese Besëlidhjes në ndeshjet e ardhshme.”

Valentin Gjetja, trajneri i Besëlidhjes: “Nuk e kuptoj qëndrimin e një gjyqtari, kur një futbollist gjakoset dhe ai vazhdon lojën. Eshtë e qartë, që këta gjyqtarë e kanë parashikuar rezultatin. Gjithsesi, skuadra ime u tregua e matur dhe e ekuilibruar, edhe pse e njihte forcën e kundërshtarit.”
Back To Top