Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, shoqëria aksionare mbetet dëshirë

Nikollë Lesi nuk ka gjetur mirëkuptimin me kryebashkiakun Tushaj, por përpjekjet vazhdojnë

Tashmë është fakt i njohur që Besëlidhja e ka filluar mbarë vitin 2009. Pasi këshilli bashkiak ka miratuar 128 milionë lekë për futbollin, trajneri Gjetja afroi 3 4 futbollistë, duke e përforcuar ekipin.

Në Lezhë u hap lajmi se z.Nikollë Lesi do të rikthehej në drejtim të futbollit, madje ai e kishte deklaruar vetë dëshirën për të ardhur në krye të Besëlidhjes, duke premtuar fonde të mëdha për ngjitjen e saj në superligë.

Lajmi u mirëprit nga të gjithë futbolldashësit lezhjanë dhe çdo ditë, çdo gjë orë e në çdo vend ata interesohen e pyesin për zyrtarizimin e rikthimit të Lesit, por siç duket, punët nuk po ecin sipas planit të ish-presidentit.

Nga burime pranë Lesit, mësohet se pas një bisede telefonike të deputetit me kryebashkiakun Viktor Tushaj, nuk është gjetur gjuha e mirëkuptimit. Burimi në fjalë sqaron se Lesi këto ditë do të udhëtojë vetë për në Lezhë, me synimin për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve me kryebashkiakun Tushaj dhe për t’i parashtruar e konkretizuar nismën e tij lidhur me drejtimin e mundshëm të Besëlidhjes. Por, siç është bërë e ditur, Lesi synon të krijohet shoqëria aksionare e futbollit lezhjan, duke qenë ai nismëtari. Eshtë një nismë e ndërmarrë dhe tri herë të tjera nga pasardhësit e Lesit në këto vitet e fundit, por që asnjëherë nuk u arrit të konkretizohej për arsye nga më të ndryshmet.

Në këto kushte, çdo lajm i dhënë deri më sot mbetet në kuadrin e dëshirave, bisedave dhe premtimeve, pasi ende asgjë nuk është konkretizuar. Vijueshmëria e kësaj nisme mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme.

Ndërsa lajmet, diskutimet dhe hamendësimet kanë pushtuar qytetin e Lezhës, trajneri Gjetja vazhdon punën e tij për përgatitjen e skuadrës për fazën e dytë. Pas fitores 4 - 1 në miqësoren e zhvilluar para 4 ditësh me Mamurrasin, trajneri Gjetja ka zhvilluar miqësoren e dytë.

Kundërshtari i radhës në miqësore ka qenë ekipi i Skraparit, ndërkohë që ndeshja është zhvilluar në stadiumin “Besëlidhja” dhe ka përfunduar në barazim, 0 - 0. Kjo miqësore, përveç rezultatit të bardhë, ka evidentuar disa probleme, që e kanë shqetësuar trajnerin Gjetja.

Kështu, disa futbollistë titullarë kanë ardhur me shumë vonesë në stadium për miqësoren me skraparllinjtë. Për këtë Gjetja nuk i ka përfshirë fare në formacion dhe Besëlidhja në këtë miqësore ka aktivizuar shumë të rinj, si dhe 3 4 të ardhurit ditët e fundit.

Setinov dhe Shabani ngelen në “klasë”

Ndeshja testuese me Skraparin, për disa nga të sapoardhurit te Besëlidhja, ka rezultuar negative. Kështu, maqedonasi Setinov dhe Shabani nuk e kanë kaluar klasën, ndaj dhe janë lënë të lirë nga trajneri Gjetja.

Ndërsa Turtulli dhe Okshtuni janë pëlqyer .
Back To Top