Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Nikollë Lesi, pranë rikthimit te Besëlidhja

Nga burime të mirinformuara mësohet se këto ditë, ish-presidenti i Besëlidhjes, z.Nikollë Lesi, ka konfirmuar se së shpejti do të rikthehet të financojë për futbollin lezhjan. Lajmi është përhapur shpejt në Lezhë dhe tifozëria e dashamirësit e shumtë të futbollit e kanë mirëpritur. Madje, kudo në Lezhë tema e diskutimit ka qenë rikthimi i Lesit në krye të futbollit. Eshtë i njohur kontributi i Lesit për shumë vite në ecurinë e futbollit në qytetin e tij të lindjes, madje ai e pati rikthyer në kategorinë e parë. Mundësinë e rikthimit të tij në krye të Besëlidhjes e ka shprehur vetë z.Lesi, kur thotë: “Po mendohem të rikthehem për ta drejtuar futbollin e qytetit tim, por këtë herë duke krijuar një shoqëri aksionare. Nuk do jem i vetëm dhe them se do të jetë organizimi më i domosdoshëm për ta mëkëmbur futbollin lezhjan dhe për ta ngjitur në vendin që i takon. Për këtë kam mendimin të takohem me kryetarin e bashkisë, Viktor Tushajn, me futbollistët, stafin teknik dhe drejtuesit e futbollit në Lezhë. Synimi im është për ta rikthyer Besëlidhjen në superligë. Kam dëshirë të kontribuoj, por nuk do të nxitoj.”

Ndërkohë, sipas planit që ka trajneri Valentin Gjetja për të përgatitur skuadrën, Besëlidhja ka zhvilluar dje një ndeshje miqësore me Mamurrasin. Kjo miqësore është luajtur në stadiumin “Besëlidhja” dhe synimi i trajnerit ka qenë testimi i 3 futbollistëve të afruar kohët e fundit. Kështu, Turtulli, Okshtuni dhe Setinov kanë qenë titullarë, por ndërsa dy të parët janë mbajtur në lojë për 90 minuta, maqedonasi Setinov është aktivizuar vetëm në pjesën e parë. Lezhjanët kanë fituar me rezultatin 4‑1. Kanë shënuar për Besëlidhjen Gruda dy herë, një autogol dhe golin e katërt e ka shënuar Malasi. Ndërsa për miqtë nga Mamurrasi ka shënuar Ziri. Vendasit, megjithëse kanë fituar thellë, nuk kanë qenë aq bindës në lojën e tyre. Për këtë ka ndikuar edhe synimi i trajnerit për të testuar lojtarët e afruar, por edhe shumë të rinj. Gjithsesi, ishte një miqësore, që ka vlera për trajnerin në punën e tij për konsolidimin e harmonizimin e skuadrës.
Back To Top