Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Viti 2009 duket premtues për Besëlidhjen

Bashkia ka dhënë pagën e dhjetorit dhe këstin e radhës së kontratës për futbollistët

Viti 2009 përgjithësisht ka filluar mbarë për ekipin e Besëlidhjes, pasi këshilli bashkiak ka garantuar fondet dhe janë afruar tre futbollistë, të cilët, sipas trajnerit Gjetja, janë të nevojshëm. Në këto kushte, futbollistët po punojnë me dëshirë në stërvitje dhe stafi teknik shprehet i kënaqur për angazhimin maksimal të tyre.
Ashtu siç ishte njoftuar më parë, futbollistët kanë marrë pagat e muajit dhjetor dhe janë firmosur kontratat nga të ardhurit e deritanishëm në merkato. Pas një takimi të trajnerit Gjetja me kryebashkiakun Viktor Tushaj, janë bërë dje edhe likuidimet e këstit të radhës të kontratave për futbollistët.
Kështu, bashkia vazhdon të jetë tepër korrekte me pagesat e futbollistëve, ashtu si vitin e kaluar, kur megjithëse me një fond të cunguar, i ka paguar rregullisht çdo muaj, në ditën e caktuar. Trajneri Valentin Gjetja sikur është qetësuar dhe shprehet optimist për atmosferën e krijuar, pas likuidimit të futbollistëve dhe 3 përforcimeve të bëra.


Për këtë ai thotë: “Eshtë një fillim i mirë dhe premtues për Besëlidhjen. Bashkia ka paguar rrogat mujore dhe këstin e radhës për çdo futbollist. Tani, duke pasur siguri në anën financiare, duhet të përqendrohemi te përgatitja e ekipit për fazën e dytë.
Puna e nisur është premtuese, por kërkohet angazhim maksimal nga çdo futbollist në stërvitje, pasi trashëgojmë rezultate jo të mira nga faza e parë. Ne do të synojmë të afrohemi sa më shumë drejt kreut.
Tani duhet të punojmë shumë për të harmonizuar veprimet në grup, pasi futbollistët e afruar kërkojnë kohë dhe punë, që të jenë organikisht pjesë efektive e Besëlidhjes. Ndeshjet miqësore, që mendojmë të zhvillojmë, do të na ndihmojnë në këtë drejtim. Mbetem optimist se do të t’ia dalim me sukses.”


Back To Top