Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, borxhet reduktojnë fondin mujor


Nuk është e thënë që lezhjanët të jenë të qetë në anën financiare, pasi ekipi trashëgon borxhet e 2008-s

U duk se problemet financiare për futbollin lezhjan morën zgjidhje, kur u dha fondi nga bashkia ditët e fundit të vitit 2008. Por nuk qenka e thënë që Besëlidhja të jetë e qetë në këtë drejtim.

Vërtet bashkia çdo muaj financon për shpenzimet mujore, por jo i gjithë fondi është për futbollin, pasi klubi trashëgon borxhe nga viti i kaluar. Për rrjedhojë, nga buxheti mujor hiqet një sasi e konsiderueshme parash, që shërben për të paguar borxhlinjtë e 2008 s. Kjo bën që fondi mujor të pakësohet ndjeshëm, duke i rrudhosur shumë pagat për futbollistët, sidomos për shërbimet e tjera për futbollin e sportet e tjera, pasi në Lezhë klubi i futbollit bashkëjeton dhe drejtohet nga një drejtues. Për mungesë fondesh, autobusi i Besëlidhjes ka kohë që dergjet para stadiumit, në pritje të dorës së njeriut që do ta riparojë dhe do të vërë në përdorim. Madje, ai figuron vetëm në letër, sepse ka muaj që nuk i ka lëvizur rrotat për arsye defekti.

Në fazën e parë, futbollistët kanë lëvizur me mjete private dhe e njëjta histori po përsëritet në këtë fillim të vitit 2009, pasi ende nuk ka fonde për riparimin e autobusit. Kështu, futbollistët lezhjanë edhe nesër do të përsëritin ritualin e fazës së parë, duke udhëtuar për në Tepelenë me një mjet privat, madje duke e mbajtur në dispozicion dy ditë. Kështu, paratë e përdorura për prenotimin e mjeteve private, që bëjnë të mundur lëvizjen e ekipit në ndeshjet jashtë fushe, do të mjaftonin për të riparuar autobusin dhe për shërbime të tjera. Por diçka këtu nuk shkon dhe përgjigjen e saktë mund të japin vetëm ata që e drejtojnë futbollin lezhjan. Megjithatë, stafi teknik dhe futbollistët janë të karikuar maksimalisht për transfertën e vështirë me Luftëtarin. Ata janë të vetëdijshëm se i pret një ndeshje e fortë, por të gjithë janë optimist se do t’ia dalin me sukses. Besëlidhja, përveç tri përforcimeve të deklaruara, që janë Turtulli, Okshtuni dhe Udeke, ditët e fundit ka federuar dhe mbrojtësin Alert Alcani, i cili fazën e parë i ka shërbyer Skënderbeut.

Me afrimin e Alcanit trajneri Gjetja shprehet i kënaqur, pasi ka përforcuar repartin e mbrojtjes, ku ka pasur probleme gjatë fazës së parë dhe Besëlidhja ka pësuar 29 gola. Ndërsa portieri Koçi vazhdon të mos paraqitet në Lezhë, me gjithë kërkesat e vazhdueshme të trajnerit Gjetja. Ai është gjobitur nga klubi lezhjan me 1.5 milionë lekë për mosparaqitjen në ndeshjen e fundit të fazës së parë, në Burrel. Drejtuesit e Besëlidhjes janë betuar se nuk do ta lejojnë të largohet Koçin, pa shlyer detyrimet. Se si është e vërteta, nuk merret vesh, ndaj çdo gjë do të sqarohet me kalimin e kohës.

Kapiteni i Laçit shpreh bindjen për fitore në ndeshjen e nesërme dhe për ngjitjen në superligë

Tanushi: Me Sopotin të mos e diskutojmë 3-pikëshin
Kurbinasit kanë një shans shumë të mirë për ta nisur me fitore fazën e dytë të kampionatit, teksa presin në fushën e tyre Sopotin.

Këtë ekip Laçi e ka mundur edhe në Librazhdi dhe nesër ka rastin për të bërë “bis”. Një fitore e mundshme mund ta ngushtonte diferencën me Skënderbeun, që luan në fushën e Dajtit, megjithatë laçianët janë të përqendruar te ndeshja e tyre, pasi asaj i duhet bërë hyzmeti. Kurbinasit janë pretendentë, gjë që e konfirmon vendi në renditje, por edhe përforcimet e bëra në merkato, por ata e vlerësojnë Sopotin realisht.

Kapiteni Eduard Tanushi thekson se Laçi nuk duhet t’i vërë në diskutim 3 pikët: “E rëndësishme është ta nisim fazën e dytë me këmbë të mbarë, kështu që nuk na falet të lëmë pikë me Sopotin. Për këtë, e kemi vlerësuar në maksimum takimin, pasi “armiku” ynë shpesh ka qenë nënvlerësimi. Kemi vënë mend dhe nuk e marrim lehtë asnjë takim, sepse këtë sezon jemi më parën se kurrë superligës.

Do të luftojmë deri në fund për t’u ngjitur në krye, duke synuar 3 pikët në çdo ndeshje, ndërsa në fushën tonë as që duhet t’i diskutojmë me asnjë ekip. Them që pika jonë më e fortë do të jetë sulmi, pa nënvlerësuar repartet e tjera. Besoj se do ta zgjidhim ndeshjen shumë shpejt, duke e zhbllokuar rezultatin, që më pas të luajmë më lirshëm. Po kështu, luajmë në stadiumin tonë dhe, duke pasur edhe mbështetjen e sportdashësve laçianë, besoj se do të startojmë me një fitore binëse.”

Mësohet se të gjithë lojtarët janë të gatshëm për trajnerin Edi Martini. Në radhët e tifozëve laçianë pritet me interes të shihet se cili nga lojtarët e ardhur në merkaton e dimrit do të zbresë në fushë që në ndeshjen e parë të fazës së dytë.

Back To Top