Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Fitore pa lavdi e Besëlidhjes, por me shumë vlera

Beselidhja - Bilishti 2:0

Me rezultatin 2 0 në favor të Besëlidhjes ka përfunduar ndeshja e djeshme me Bilisht-Sportin. Lezhjanët nuk kanë bindur në lojë, por kanë marrë 3 pikë. Thënë ndryshe, ka qenë një fitore pa lavdi e vendësve dhe një ndëshkim i miqve, të cilët, ashtu siç luajtën, nuk e meritonin këtë humbje. Ka qenë një lojë mjaft e dobët, sidomos e lezhjanëve, ndërkohë që ka pasur përpjekje të dështuara të miqve. Loja ka pasur dy tablo. Një pjesë e parë të dobët nga të dy ekipet, me raste sporadike në të dyja portat respektive, kurse pjesa e dytë disi më ndryshe, ku skuadra mike u zgjua dhe e kërcënoi disa herë portën e vendësve, por pa mundur të konkretizonte. Këtë gjë e bënë vendësit dy herë, më anë të kapitenit Toma dhe sulmuesit Udeke. Besëlidhja ka zhvilluar një ndeshje nga më të dobtat e këtyre viteve të fundit, ndeshje që duhet fshirë sa më shpejt nga kujtesa e kujtdo. Ka qenë një skuadër tërësisht e përgjumur, e paorganizuar, ku gjithçka ka funksionuar sporadikisht. Kjo ndoshta edhe për një nënvleftësim, që dukej se i kishin bërë lojtarët kësaj ndeshjeje, duke pasur parasysh vendin në renditje të Bilisht-Sportit. Reparti i mbrojtjes, duke përjashtuar Malotën, ka qenë në një ditë të errët, mesfusha tërësisht e pafuqishme dhe sulmi jo konkludues. Nëse ka vend për të vlerësuar ndokënd nga futbollistët vendas, disa fjalë të mira i meriton vetëm portieri Gjoka, i cili, me disa ndërhyrje energjike përballë sulmuesve të rrezikshëm Avdo dhe Zhuti, është bërë shpëtimtar i Besëlidhjes. Nga ana e saj, skuadra mike, me përforcimet e bëra, kishte ardhur me synime të qarta në Lezhë. Dhe ashtu siç dhe u paraqit, mund të dilte me një rezultat pozitiv. Një skuadër, që pavarësisht vendit në tabelën e klasifikimit, ishte mjaft e kompletuar, e organizuar mjaft mirë në të gjithë repartet. Bilishtarët ishin të organizuar teknikisht dhe taktikisht, me kualitete që bënin diferencën në fushë. Spikati Avdo, i cili gjatë gjithë lojës ka qenë mjaft problematik për mbrojtjen vendëse dhe ka rrezikuar disa herë, por pa mundur të shënojë. Përmbledhja e kësaj ndeshjeje do të ishte: Një fitore pa lavdi e lezhjanëve, por me vlerën e 3 pikëve. Në tribunën “VIP” ishin të pranishëm ish-presidentët e Besëlidhjes, deputeti Nikollë Lesi dhe Agustin Uldedaj. Lesi në këtë takim ka qenë i shoqëruar edhe nga ish-lojtari dhe trajneri i ekipit tonë përfaqësues, Sulejman Demollari.
Thanë pas ndeshjes
Valentin Gjetja, trajner i Besëlidhjes: “Më kënaqin tri pikët, por jo loja e zhvilluar nga ekipi. Loja pati dy tablo. Një pjesë e parë të çorganizuar, ku lojtarët dolën nga detyrat taktike, dhe një pjesë të dytë ku riparuam diçka. Zëvendësimet e bënë punën e tyre. Produkt i tyre ishte zhbllokimi i lojës dhe marrja e 3 pikëve.” Luan Deliu, trajner i Bilisht-Sportit: Nuk u prononcua për mediat.
Back To Top