Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, humbja i faturohet të ftohtit korçar

Përgjegjësi i klubit, Pjetër Lesi, pohon se futbollistët lezhjanë nuk janë mësuar të luajnë në ato kushte
Eshtë dorëzuar pa kushte Besëlidhja në Korçë, duke humbur 3‑0. Kështu, futbollistët e Skënderbeut i kanë kthyer reston asaj humbjeje të thellë të fazës së parë në Lezhë. E kishin paralajmëruar këtë hakmarrje drejtuesit e ekipit koçrar, duke argumentuar se kishin arsye, pasi kërkonin të riktheheshin në udhëheqje të renditjes dhe ta mbyllnin në sirtarin e harresës disfatën e fazës së parë. Megjithëse ndeshja ishte shtyrë për shkak të motit të ftohtë dhe me ngrica, gjendja nuk kishte ndryshuar thuajse fare as ditën e mërkurë, kur u luajt ajo. Vendësit e kanë përballuar suksesshëm këtë ndeshje, duke u përshtatur më mirë se miqtë me kushtet e motit dhe terrenin.Futbollistët lezhjanë e kanë përballuar pjesën e parë, duke zhvilluar një lojë të kujdesshme dhe të ekuilibruar, por janë dorëzuar në pjesën e dytë. Drejtuesit lezhjanë ia faturojnë këtë humbje motit tepër të ftohtë dhe terrenit të rënduar nga bora dhe balta. Për këtë, përgjegjësi i klubit të futbollit lezhjan, Pjetër Lesi, shprehet: “Ka qenë një mot shumë i ftohtë në Korçë. Futbollistët tanë nuk janë mësuar me një mot aq të ftohtë. Gjatë pjesës së parë ka rënë borë e dendur, ndërsa në pjesën e dytë ajo ka mbuluar fushën dhe terreni u rëndua së tepërmi. Kështu, motit të acartë iu shtua edhe uji e balta në fushë.

Ne e patëm të vështirë ta përballonim këtë situatë, madje disa futbollistë u dorëzuan, pasi u ndjenë të pamundur për të vazhduar, siç ishte rasti i portierit Gjoka dhe mbrojtësit Alcani. Ndërsa 2‑3 futbollistë të tjerë sakrifikuan, duke e vazhduar lojën edhe në pjesën e dytë. Ekipi në pjesën e parë u përpoq të tregonte vlerat e veta, ndërsa në pjesën e dytë e pati të vështirë të përballonte gjendjen e krijuar. Vendësit iu përshtatën mirë këtyre kushteve dhe arritën ta fitonin ndeshjen. Ne po synojmë të ruajmë pozicionin që kemi në renditje, duke menduar më shumë për vitin e ardhshëm. Duhet thënë se afrimi i specialistit të futbollit lezhjan Nikolin Lorenci, në postin e drejtorit teknik, po jep frytet e veta,” ‑ përfundon Lesi.
Back To Top