Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Gramozi ‑ Besëlidhja 4‑2

Kolonjarët dhe lezhjanët, si në fazën e parë, kanë shënuar plot 6 gola në një ndeshje, por këtë herë golat nuk janë ndarë në mënyrë të barabartë. Gramozi ka shënuar 2 gola më shumë dhe ka dalë i fituar, duke bërë autokritikën për humbjen e thellë në Burrel. Gramozi e nis ndeshjen i karikuar dhe e zhbllokon rezultatin që në minutën e 2‑të, me anë të brazilianit Da Silva, i cili shënon golin e parë me fanellën kolonjare. Miqtë mbrohen me forca të shumta, sepse sulmet e Gramozit janë të njëpasnjëshme, por Dos Santos dhe Islami nuk janë të saktë. Besëlidhja, në zbritjen e parë në minutën e 17-të, barazon me Hamzajn, por vendësit nuk pajtohen me këtë rezultat. Shumë shpejt ata kalojnë në avantazh, këtë herë me Oliveirën.
Kolonjarët i vazhdojnë sulmet dhe, kur pritet goli i 3-të i tyre, barazon përsëri Besëlidhja. Alushi shënon pas krosit të Haxhisë. Ky është sulmi i fundit për miqtë, sepse Gramozi e shton presionin. Oliveira, Da Silva dhe Shupe përpiqen shumë, ndërkohë që në ndihmë të tyre vjen edhe mbrojtësi Peçi. Rastin më të pastër e humbet Dos Santos, që godet shtyllën me një roveshatë. Presioni i vendësve në pjesën e dytë është më i madh, por goli nuk del në dritë shpejt. Zëvendësimet e bëra nga trajneri Qirjako e ndryshojnë lojën sulmuese. Duket se goli nuk do të vonojë, pasi rastet janë të shumta, por portieri Gjoka, i futur në pjesën e dytë, bën disa pritje të mrekullueshme. Kolonjarët diktojnë në lojë, me sulme të pandërprera, por goli vjen në minutën e 85-të, pas një gjuajtjeje të bukur nga rreth 25 metra e mesfushorit Lena. Kolonjarët shfrytëzojnë kohën e mbetur dhe shënojnë përsëri me Islamin.

Gramozi merr një fitore me mjaft vlera ndaj një ekipi me përvojë në kategorinë e parë dhe superligë, që duhet falënderuar për korrektësinë. Futbollistët kolonjarë, ndryshe nga ndeshja e një jave më parë, kanë treguar se kanë forca për më lart.

Gramozi: Nuredini, Mata, Peçi, Suta, Goshevski, Ismolli (Lumani 80′), Shupe (Lena 62′), Oliveira, Da Silva, Islami, Dos Santos. Trajner: I.Qirjako.
Besëlidhja: Demi (Gjoka 46′), Alcani, Turtulli, Shyti, B.Toma (Beqiri 88′), Alushi, Hamzaj, S.Toma, Malasi, Haxhia, Maitara (Noka 87′). Trajner: V.Gjetja.
Shënues: Da Silva 2′, Oliveira 20′, Lena 85′, Islami 89′ / Hamzaj 17′, Alushi 28′
Gjyqtarë: L.Alla, A.Guçe (Lushnjë), A.Mali (Patos)
Kartonë të verdhë: Goshevski, Turtulli, Alushi, Maitara
Back To Top