Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Tjeter humbje per Beselidhjen

Sopoti - Beselidhja 2:1
Ndeshja Sopoti-Besëlidhja pati një nivel të kënaqshëm loje, edhe pse terreni nuk ishte në kushtet optimale. Sopoti ka marrë një fitore të rëndësishme, që e largon nga zona e ftohtë, ndërsa trajneri Ibërshimi ka debutuar suksesshëm në krye të stolit librazhdas. Sopoti ka qenë më lart se kundërshtari dhe për asnjë moment nuk e ka vënë në dyshim rezultatin. Heroi i Sopotit ka qenë sulmuesi Hajdari, i cili ka realizuar 2 gola. Ndeshja ka nisur e qetë dhe minutat e para janë dominuar nga miqtë, por më pas ka ardhur edhe reagimi i Sopotit, me anë të M.Basriut, i cili nuk ka mundur ta mposhtë portierin Demi.

Sopoti ka organizuar sulme të njëpasnjëshme, por pa e zhbllokuar rezultatin. Në minutën e 36-të ka ndodhur një zënkë, që nuk kishte lidhje me futbollin, ndaj dhe kryesori me të drejtë i ka dërguar E.Basriun dhe Malotën në dhomat e zhveshjes, pasi i ka ndëshkuar me karton të kuq. Pjesa e parë është mbyllur pa gola, ndërsa e dyta ka nisur mjaft mirë për Sopotin. K.Karaj ka krosuar në zonë dhe Hajdari e ka dërguar topin në rrjetë. Sopoti ka kërkuar të dyfishojë rezultatin, por edhe miqtë nga Lezha kanë sulmuar rrezikshëm me Udeken. Në minutën e 81-të, dyshja Zylyftari-Hajdari ka sjellë edhe golin e dytë për Sopotin. Korçari ka dhënë një top të saktë për Hajdarin, që e ka shmangur mbrojtjen e Besëlidhjes dhe më pas e ka çuar topin në rrjetë. Për miqtë nuk do të mbetej gjë tjetër, veçse të ngushëlloheshin me një gol në minutën e fundit, me anë të B.Tomës, pas një goditjeje këndi. Kjo fitore i jep më shumë besim Sopotit, që tani duhet të mendojë për transfertën e Adës

Thanë pas ndeshjes
Isuf Ibërshimi, trajneri i Sopotit: “E rëndësishme është fitorja. Ekipit iu deshën disa minuta për të marrë frenat e lojës në dorë dhe më pas nuk e vumë në dyshim rezultatin. Fitoren e merituam, pasi e kërkuam gjatë gjithë lojës. I uroj suksese ekipit të Besëlidhjes.”
Alban Bruka, zv/trajner i Besëlidhjes: “Erdhëm në këtë ndeshje për të marrë një rezultat pozitiv, që nuk u arrit për fajin tonë. Në të dy rastet e golave të pësuar, kemi gabuar fatalisht.”
Back To Top