Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Gjetja: Besëlidhja, e fortë me të fortët

Trajneri lezhjan, pas fitores së bukur me Dajtin, kërkon nga të tijtë të njëjtën gjë edhe me Laçin
Fitorja me Dajtin në Kamëz i ka qetësuar futbollistët dhe stafin e Besëlidhjes, pasi me ato 3 pikë lezhjanët renditen në “mesin e artë” të tabelës.Megjithëse me mungesa titullarësh, Besëlidhja ka udhëtuar për në Kamëz me mendimin për të luajtur lirshëm dhe për të marrë sa më shumë të jetë e mundur, siç ka pohuar edhe trajneri Gjetja. Djemtë e tij kanë zhvilluar një ndër ndeshjet më të mira të kampionatit në transfertë, duke u vendosur mirë në fushë.Eshtë dalluar në Kamëz reparti i mbrojtjes, që ka neutralizuar suksesshëm çdo përpjekje të sulmuesve vendës për të depërtuar në drejtim të portës. Lezhjanët janë mbrojtur shumë mirë dhe kanë kundërsulmuar shpejt, me shumë forca dhe rrjedhshëm, teksa kanë shënuar 3 gola, njëri më i bukur se tjetri. Për këtë fitore, trajneri Valentin Gjetja thotë: “Kishim mungesa titullarësh me Dajtin, por të aktivizuarit bënë më të mirën.

U futëm në fushë pa ngarkesë psikologjike dhe me mendimin për të luajtur lirshëm. Futbollistët ishin tepër të saktë në realizimin e detyrave taktike dhe mbrojtja ishte në lartësinë e detyrës. Ajo luajti thjesht dhe u tregua e shumë e vëmendshme, teksa nuk gaboi asnjëherë.Edhe goli që pësuam ishte një faull ndaj portierit tonë. Besëlidhja luajti në bllok dhe kundërsulmoi shpesh me shumë forca. Mesfushorët dhe sulmuesit u harmonizuan mirë, duke shfrytëzuar hapësirat e krijuara në prapavijën e Dajtit. Shënuam 3 gola dhe fituam një ndeshje të vështirë e 3 pikë qetësuese.

Them kështu, jo se kemi qenë të rrezikuar për të rënë një kategori më poshtë, por kishim nevojë të ishim të garantuar nga çdo rrezik, që mund të vinte nga çdo drejtim.” Aktualisht, kërkohet që entuziazmi i fitores të lihet pas, për të menduar dhe përgatitur ndeshjen e radhës me Laçin në Lezhë.
Vështirësinë e ndeshjes me kryesusit e Laçit e ndiejnë të gjithë, por drejtuesit mendojnë se, duke luajtur në Lezhë dhe të çliruar nga çdo faktor psikologjk, do të dalin fitues. Sipas tyre, laçianët do të luajnë në transfertë dhe me një ngarkesë maksimale psikologjike, që ua imponon fakti se duhet të ruajnë kryesimin.

Trajneri Gjetja është optimist për një rezultat pozitiv ndaj laçianëve, kur thotë: “Të gjithë faktorët janë në favorin tonë këtë radhë, pasi luajmë për sportdashësve tanë, që në ndonjë rast i kemi zhgënjyer. Këtë herë duhet të bëjmë autokritikë me lojë të bukur dhe rezultative.Nuk kemi asnjë shkak për ngarkesë psikologjike, përkundrazi, do të luajmë lirshëm, thjesht dhe në bllok. Pastaj, në përballjet me ekipe të mira kemi luajtur mirë, prandaj dhe me komshinjtë do të tregojm vlerat tona më të mira. Për këtë kam besim te futbollistët, të cilët janë të motivuar dhe të çliruar nga çdo ngarkesë psikologjike.”
Back To Top