Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, tifozëria dyshon tek e nesërmja

Drejtuesit e futbollit lezhjan nuk kanë bërë deri tani asnjë lëvizje për ekipin e ardhshëm
Pasi Besëlidhja zbriti nga superliga në vitin 2008, drejtuesit e futbollit lezhjan dhe të pushtetit vendor kishin planifikuar t’i përvisheshin punës për ta rikthyer në elitën e futbollit shqiptar. Por fillimi evidentoi edhe problemet e para, që nuk u zgjidhën as me kalimin e kohës. Kështu, nga Besëlidhja, për mungesë financash, u larguan të gjithë futbollistët vendës si Alcani, Ivanaj, Dushku etj., si edhe 8 maqedonasit që ishin afruar në superligë. Megjithatë, trajneri Valentin Gjetja edhe në këto kushte nuk u dorëzua, por me futbollistë të rinj dhe me 2 3 elementë të afruar në merkaton e verës, formoi ekipin, që do të konkurronte në kategorinë e parë. Besëlidhja pati një kalendar të favorshëm, por e nisi keq me humbjen përballë Luftëtarit, për të vazhduar me rezultate jo të mira.

Ajo rrëshqiti në vendet e fundit, duke rrezikuar edhe qëndrimin në kategorinë e parë. Pasi filloi faza e dytë, drejtuesit e bashkisë vendosën të afronin në ekip mjeshtrin Nikolin Lorenci në pozicionin e drejtorit teknik. Lorenci u përpoq ta organizonte ekipin, por koha ishte e kufizuar dhe Besëlidhja po përpiqej të qëndronte në kategorinë e parë. Kështu, për kampionatin që përfundoi, Besëlidhja nuk ka realizuar asnjë objektiv, përveçse ka rrezikuar rrëshqitjen nga kategoria. Besëlidhja ka dështuar edhe me ekipet e moshave, duke vazhduar të qëndrojë edhe për edicionin e ardhshëm në grupin inferior.

E thënë shkurt: futbollis lezhjan, gjatë sezonit 2008-2009, ka dështuar në çdo drejtim. Por për çudi nuk ka asnjë lëvizje për ta ndryshuar gjendjen dhe për pasojë nuk thuhet asnjë fjalë për Besëlidhjen e ardhshme. Të bën përshtypje fakti se nuk ka asnjë lëvizje për ta ndryshuar gjendjen as për këtë vit, siç nuk është bërë asgjë edhe në vitet e mëparshme. Trajneri Gjetja, i pyetur për të ardhmen e ekipit që e drejtoi me shumë mund, përgjigjet fare shkurt: “Po pushojnë.

Tani për tani është kohë fushate, nuk e ka kush mendjen te futbolli.” Siç duket, puna është stakuar dhe po priten zgjedhjet e fundqershorit, kur koha do të jetë e pamjaftueshme për të “zierë ujin”, që ende nuk është vënë në zjarr. Megjithatë, analizat e punës dhe përcaktimi i detyrave për sezonin e ri janë detyrë e klubit dhe pushtetit vendor. Ne prekëm disa probleme që duken në stadium, por pa dyshim që ka edhe të tjera. Nga ana tjetër, tifozëria lezhjane është e zhgënjyer nga rezultatet e kampionatit të kaluar dhe është tepër dyshuese për të nesërmen.
Back To Top