Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja me borxhe, shpresojmë për një donator

Sekretari i klubit lezhjan, Pjetër Lesaj, pranon se ka pak fonde, por beson për një ekip pretendent
Ekipi lezhjan nuk mundi të bënte njëfarë prej pretendenti sezonin që shkoi dhe mbeti shumë prapa. Sekretari i klubit, Pjetër Lesaj, thekson për “Sportin shqiptar” se do të analizohet kampionati i kaluar dhe më pas do të shpallet objektivi i të riut. Ai pranon se Besëlidhja nuk ka fonde të mjaftueshme, por shpreson që bashkia të afrojë ndonjë sponsor, që do ta bënte ekipin pretendent. Sekretari Lesaj pohon se stafi teknik nuk do të ndryshojë, ndërkohë që do të synohet afrimi i ndonjë futbollisti cilësor.

Z.Lesaj, Besëlidhja dështoi kampionatin e kaluar. A është bërë një analizë për këtë?
Ende nuk e kemi bërë, por këto ditë do të analizohet puna e bërë dhe do të përcaktojmë detyrat për sezonin e ri.

Kur do të fillojnë përgatitjet e Besëlidhjes për sezonin
2009-2010?

I kemi njoftuar të gjithë futbollistët për të filluar procesin stërvitor për sezonin e ri. Do të jenë të gjithë futbollistët lezhjanë të kampionatit të kaluar, por do të bëjmë edhe ndonjë përforcim për reparte të veçanta. Për afrimet do të vendosë stafi teknik dhe deri më 20 korrik stërvitja do të jetë selektive. Kjo do të thotë se do të mirëpresim futbollistë të rinj, të cilët kanë dëshirë për t’u testuar. Ka futbollistë që premtojnë dhe i kemi piketuar e afruar qysh nga faza e dytë e sezonit të kaluar.

A ka financë të mjaftueshme për të afruar futbollistë nga klube të tjera dhe për të mbajtuar vendësit, që mund largohen?
Të them të drejtën, klubi ynë financat i ka të pamjaftueshme, teksa fondi i dhënë nga këshilli bashkiak në fillim të vitit 2009 është shpenzuar. Më saktë, kemi edhe borxhe. Tani për tani, kemi tkurrje fondesh, por shpresojmë se kryebashkiaku do të afrojë ndonjë donator. Sipas tij, është në bisedime për një gjë të tillë, por aktualisht nuk ka asgjë konkrete.

A ka për t’u ndryshuar stafi teknik i Besëlidhjes?
Jo, nuk do të ndryshojë, pasi kemi menduar që ekipin të vazhdojë ta drejtojë trajneri Valentin Gjetja dhe drejtor teknik të jetë përsëri Nikolin Lorenci. Gjithashtu, kemi caktuar edhe trajnerët e moshave, madje kemi menduar edhe për krijimin e Akademisë së Futbollit të Besëlidhjes. Besoj se jemi në rrugë të mbarë për të ndërtuar një shkollë futbolli në Lezhë, ku kemi specialistë të mirëfilltë, që kanë deri licensën e UEFA-s të kategorisë A dhe B. Na mungojnë terrenet sportive, por së fundmi kemi hyrë në bisedime për një fushë private në Ishull Shëngjin.

Po për stadiumin ç’po bëhet, pasi nuk është investuar asnjëherë për tapetin, që ka mbetur po ai livadh natyral i viteve ‘50 të shekullit të kaluar?
Për stadiumin nuk ka asnjë lëvizje. Vazhdojmë ta mirëmbajmë me ato mundësi që kemi. Ndërsa për investime ende nuk ka asnjë sinjal pozitiv.

Cili është objektivi i Besëlidhjes për sezonin e ri?
Jemi në pritje të ndonjë ndryshimi të strukturës nga FSHF-ja. Ne e kemi dërguar mendimin tonë, të argumentuar për një kampionat me 16 ekipe. Synojmë të jemi një ndër kryesuesit e kampionatit të ri. Megjithatë, saktësisht objektivi do të përcaktohet pas vendimit të FSHF-së për strukturën e sezonit 2009-2010.

Burreli, grumbullimi shtyhet për javën tjetër
Eshtë shtyrë ndoshta për javën tjetër grumbullimi i skuadrës matjane. Ishte caktuar fillimi i kësaj jave për grumbullimin, por shtyrja ka ardhur për shkak të motit të paqëndrueshëm dhe ngaqë një pjesë e mirë e futbollistëve “jabanxhinj” të sezonit të kaluar nuk kanë konfirmuar, nëse do të qëndrojnë ose jo te Burreli. Burime pranë klubit matjan bëjnë me dije se futbollistët Ramadani, Çela, Tula, Curri, Meta, Vogli dhe Baku, të cilët kanë kontribuar jo pak për Burrelin sezonin e kaluar, duke e renditur në vendin e 5-të, preferojnë të qëndrojnë. Ata janë në pritje të telefonatës së drejtuesve burrelas për t’u bashkuar me skuadrën në fazën përgatitore. Ndryshe nga ata, sulmuesi Radaj prej kohësh ndodhet në Burrel dhe pret të fillojë stërvitjen me grupin e plotë. Një nga futbollistët matjanë, Saimir Dika, i pyetur për përgatitjet e matjanëve, tha: “Stërvitja individuale ka dy javë që ka nisur, ndërsa në grup ka mundësi të fillojë të hënën e ardhshme, më 13 korrik.” Kështu, edhe kjo javë do të kalojë me stërvitje individuale, ndërkohë që deri të hënën tjetër mendohet që Burreli të jetë kompletuar.

Sporti Shqiptar

Back To Top