Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja s’ka buxhet për blerje, afron 19-vjeçarë

Lezhjanët janë të privuar nga përforcimet, por shpresohet për afrimin e një sponsori në muajin gusht

U mbushën dy javë, që kur Besëlidhja ka nisur përgatitjet për sezonin 2009-2010. Thuajse të gjithë lojtarët vendës, të cilët përfunduan sezonin e kaluar, janë nën urdhërat e dyshes trajnuese Gjetja-Hoxha. Gjatë kësaj kohe, përgatitjet kanë vijuar me dy seanca në ditë, paradite në Shëngjin, kryesisht në aspektin fizik, kurse pasdite në aneksin e stadiumit, ku bëhen veprime

tekniko-taktike. Besëlidhja aktuale përbëhet nga 3-4 lojtarë të përvojës dhe shumë të rinj, të afruar nga ekipi U-19. Ka qenë mungesa e financës, që e ka penalizuar Besëlidhjen për t’u futur në merkato. Madje, me fondet ekzistuese, diskutohet vazhdimësia, pasi buxheti i dhënë nga bashkia në fillim të vitit 2009 është i pamjaftueshëm për të përballuar rrogat dhe borxhet e akumuluara. Megjithëse po mbushet një vit nga koha kur drejtuesit bashkiakë patën premtuar afrimin e ndonjë sponsori, deri më sot nuk ka asgjë konkrete.

Afatet lidhur me afrimin e donatorëve të mundshëm janë shkelur disa herë, teksa sërish vjen një premtim se, brenda muajit gusht Besëlidhja do ta ketë financuesin e saj. Këtë radhë flitet për ndërtuesin e njërës prej fabrikave të çimentos në Lezhë. Pavarësisht nga “ngërçi” financiar, stafi teknik, me në krye drejtorin Nikolin Lorenci, po punon çdo ditë për ta përgatitur ekipin për kampionatin e ri që nis në fund të gushtit. Për atë çka është bërë gjatë këtyre dy javëve, trajneri Valentin Gjetja thotë:

“Kemi afruar djem lezhjanë dhe po punojmë me seriozitetin e duhur për përgatitjen e ekipit. Janë të rinj 19-vjeçarë, por duhet të them se ende nuk janë gati për të veshur fanellën e Besëlidhjes. Gjithashtu, duhet pranuar se pa u zgjidhur problemet financiare, do ta kemi mjaft të vështirë në të ardhmen. Kontigjenti aktual nuk garanton konkurrencë dhe as synim për t’u kthyer në superligë. Konkurenca në kategorinë e parë do të jetë e madhe, sepse do të ballafaqohemi me emra si Partizani, Elbasani, Lushnja dhe Bylis.

Nuk duhen nënvlerësuar edhe ekipet e tjera të inferiores, që po përgatiten intensivisht. Në të tilla kushte, së pari kërkohen investime në merkato për të afruar disa lojtarë lezhjanë, të cilët kanë luajtur sezonin e kaluar në superligë dhe në kategorinë e parë. Ata do të ktheheshin në Lezhë, nëse do të kishte buxhet për kontratat me ta. Po vazhdojmë punën, duke shpresuar se premtimi i fundit për të pasur një donator, përveç bashkisë, do të realizohet.”

Sporti Shqiptar

Back To Top