Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Hoxha: Besëlidhja, futboll të bukur në Elbasan

Trajneri i dytë, Hasan Hoxha, ia lë fushës rezultatin, duke shpresuar për pikë në transfertë
Kur gjykon synimet e Besëlidhjes për sezonin e ri, arsyetimet përplasen deri në atë pikë, sa është e vështirë të besosh se ecuria e saj do të jetë e mbarë. Ekipi lezhjan është ndër të paktët që e filloi në kohë procesin stëvitor, grumbulloi shumë futbollistë të rinj, i testoi, por në fund pak mbetën pjesë e Besëlidhjes.

Stafi teknik, me në krye trajnerin Valentin Gjetja, ka bërë maksimumin për t’i stërvitur të pëzgjedhurit, madje zv/trajneri Hasan Hoxha shprehet me entuziazëm për punën e bërë në përgatitoren e verës, kur thotë: “Kemi bërë një punë vërtet të mirë stërvitore, pasi procesin e filluam herët dhe punuam në çdo komponent. Kështu ndodhi edhe sezonin e kaluar, por javën e fundit na u larguan 2-3 futbollistë titullarë. Pasi u përgatitën me ekipin, u larguan mbrojtësit Alcani dhe Toma.

Kjo dukuri ndodh për arsye financiare, pasi klubi ynë nuk ka buxhet për t’i mbajtur, madje për këtë arsye janë larguar edhe 10 futbollistë të tjerë cilësorë, të cilët aktualisht luajnë me ekipe të superligës dhe të kategorisë së parë. Pra, ajo që ndërtojmë për muaj dhe vite me radhë, prishet në një ditë. Aktualisht, te Besëlidhja mbrojtja mbetet “Thembra e Akilit”, sepse Alcanin dhe Tomën do ta kemi shumë të vështirë për t’i zëvndësuar.”

Sipas numrit 2 të stolit lezhjan, në ndeshjen e parë të sezonit të ri, në transfertën e Elbasanit, Besëlidhja do ta ketë shumë të vështirë, megjithatë ai është optimist për një rezultat pozitiv. “Gjykoj me këmbë në tokë, kur them se do të kemi një transfertë të vështirë, por puna që kemi bërë besoj se do të shpërblehet. Vërtet jemi një ekip me përbërje të re, por edhe Elbasani përgjithësisht djem të rinj ka afruar. Ne shkojmë për të bërë detyrën tonë dhe me synimin për të marrë pikë. Rëndësi ka që të paraqesim shpirt gare, futboll të bukur dhe korrekt, duke ia lënë fushës rezultatin konkret,” - përfundoi trajneri i dytë i Besëlidhjes, Hasan Hoxha

Sporti Shqiptar

Back To Top