Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Verdheblutë mundin 2-1 Besëlidhjen

Elbasani nuk fal pikë në sfidën e parë të kategorisë. Verdheblutë fitojnë 2-1 me Besëlidhjen, një rezultat tejet i rëndësishëm për moralin. Ndeshja dominohet thuajse gjatë gjithë kohës nga Elbasani, që në kategorinë e parë ka një ekip mjaft të ri. Mosha mesatare është rreth 23 vjeç, kurse “jabanxhinjtë” e vetëm janë Plepi dhe Ramazani. Edhe me Besëlidhjen Elbasani has vështirësi në aspektin fizik, ndërsa në prapavijë vihet re pasiguri, edhe pse Ramazani është në një ditë shumë të mirë. Për sulmin, federimi i Cenos në minutën e fundit dhe ardhja e nigerianit Chukvudi mund të sjellë më shumë cilësi. Mesfusha shkëlqen në ndeshjen me Besëlidhjen, pasi E.Dalipi, Merxha dhe Gava japin siguri. Ata që bëjnë diferencën në pjesën e dytë, kur ndryshon loja e Elbasanit, janë Kuçi dhe Hyshmeri. Loja nis dobët, me gjithë tentativat e Kuçit dhe Kacolles. Elbasanasit janë të turbullt, pa ide të qarta, por pas minutës së 30-të mesfusha merr në dorë “frenat” dhe i afrohet portës së Besëlidhjes. Në minutën e 43-të, Kuçi kroson për Merxhën, i cili pason për Dalipin, që nuk fal, duke zhbllokuar rezultatin. Gëzimi i vendësve zgjat vetëm dy minuta, pasi Gruda, nga një goditjë dënimi prej gati 40 metrash, e dërgon topin në rrjetën e Bërdufit. Në pjesën e dytë miqtë bëjnë dy zëvendësime, por asgjë nuk ndryshon, pasi lezhjanët vuajnë inkursionet e Hyshmerit dhe Kuçit. Dalipi jep një pasim të artë për Ramazanin, i cili shënon me kokë golin e fitores. Elbasani është i freskët në lojë, kurse Besëlidhja përpiqet me goditjet standarde. Miqtë pretendojnë për dy gola të anuluar, por gjyqtari më parë kishte vërshëllyer. Elbasani ka raste për shënim me Kuçin, Dalipin, Xhikën dhe Hyshmerin, por rezultati nuk ndryshon. Trajneri Dosti e nis me fitore dhe tani vëmendja kthehet te ndeshja në Librazhd.

Thanë pas ndeshjes

Valentin Gjetja, trajner i Besëlidhjes: “Erdhëm për të marrë 1 pikë, falë edhe lojës së mirë që luhet në këtë qytet. Gabuam më shumë se Elbasani dhe e pësuam. Duhet të korrigjohemi, pavarësisht se kam dyshime për golat e anuluar.”

Sporti Shqiptar

Back To Top