Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja fiton me Memaliaj, Gega 3 gola

Sportdashësit dhe futbollistët kanë mbajtur një minutë heshtje në kujtim të Brian Filipit, i cili u nda nga jeta pas një aksidenti automobilistik në Ravena. Ai ka lindur në Lezhë dhe ishte djali i futbollistit të mirënjohur të Besëlidhjes, Gjergj Filipi. Besëlidhja shpalos dëshirën e saj për fitore që në fillim të ndeshjes dhe protagonist është Gruda, i cili kroson në zonë, por shokët janë të pavëmendshëm. Edhe në rastin kur ai godet bukur, po aq bukur pret Imeraliaj. Lezhjanët janë konfuzë, pa freski fizike, të pasaktë në pasim dhe të paharmonizuar në mesfushë e sulm. Ndërsa miqtë nga Memaliaj shfaqen të vendosur mirë në fushë dhe luajnë saktë. Ata e kontrollojnë nga afër kundërshtarin dhe kështu loja vazhdon thuajse gjatë gjithë pjesës së parë, me përjashtim të minutës së 35‑të, kur pas një gabimi foshnjërak të portierit mik, “gjahtari” Gega shënon me kokë. Me fillimin e pjesës së dytë, trajneri mik Qiqi zëvendëson Alliun me Jaupin, ndërsa vendësit humbasin raste për ta dyfishuar rezultatin, siç është ai i Gegës, i cili tenton të shënojë i vetëm përballë Imeraliajt, por dështon. Pas 5 minutash, Gega vetkorrigjohet dhe topin e krosuar nga Gruda, me gjakftohtësi dhe thjeshtësi e dërgon në rrjetë me kokë. Miqtë nuk dorëzohen dhe hidhen në sulm për ta ngushtuar rezultatin, duke shënuar në minutën e 72‑të me penallti. Malasi, pasi gjyqtari ka larguar me karton të kuq edhe portierin Demi, gjuan saktë. Të gjitha shpresat e vendësve janë te Gega, i cili ua shpërblen me golin e tretë, të shënuar në minutën e 85‑të, pas një vallëzimi me top brenda zonës. Ai shënon golin e 3-të për Besëlidhjen dhe veten. Zhupa, në minutën e 87‑të, ngushton diferencën për miqtë, por vetëm kaq. Besëlidhja fiton 3 pikë me shumë vështirësi. Në këtë ndeshje munguan sportdashësit, ndërkohë që pati mjaft gola falë aftësisë individuale të Gegës dhe saktësisë në krosim të Grudës.

Thanë pas ndeshjes:
Valentin Gjetja, trajneri i Besëlidhjes: “Dua të ngushëlloj familjen Filipi për humbjen e djalit të tyre. Ishte një lojë që dua ta harroj sa më shpejt, pasi vetëm futboll nuk u luajt. Morëm 3 pikë me lojë të dobët, por edhe kemi lënë pikë me lojëra të mira. Kështu e ka futbolli.”

Skënder Qiqi, trajneri i Memaliajt: “Megjithëse nuk e njihnim ekipin lezhjan, erdhëm për të marrë pikë, pasi njihnim mirë veten. U ndëshkuam në fillim nga një gol aksidental për faj të portierit. Falënderoj djemtë për shpirtin e garës dhe luftën sportive. Kam rezerva për gjykimin.”
Sporti Shqiptar
Back To Top