Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Gjetja: Fillimi është i mirë për Besëlidhjen


Trajneri lezhjan bën llogaritë dhe e mendon skuadrën në 6-shen e parë në fund të fazës së parë. Pas dy ndeshjeve të para të kampionatit, trajneri Valentin Gjetja shprehet i kënaqur me performancën e skuadrës që drejton, duke thënë: “Jam i kënaqur nga Besëlidhja për lojën dhe rezultatet e arritura, pasi jemi ndeshur me dy skuadra cilësore, që synojnë superligën. Elbasani nuk bëri ndonjë diferencë me ne në “Ruzhdi Bizhuta”, ku pësuam një humbje minimale, madje të diskutueshme, por kjo është e pranueshme. Kundër Kamzës luajtëm mirë dhe me atë çfarë paraqitëm në fushë, duhej të kishim fituar, pasi shpërdoruam 2-3 raste të pastra. Nisur nga këto dy paraqitje të para, gjykuar edhe për nivelin e kundërshtarëve, mendoj se e kemi filluar mirë kampionatin.” Pyetjes sonë për burimin e këtij entuziazmi tek ai, kur Besëlidhja renditet e parafundit, me vetëm një pikë, trajneri Gjetja i përgjigjet: “Vërtet kemi 1 pikë, por kaluam dy kundërshtarë të vështirë, pretendentë për superligën. Objektivi im është vendi i 6-të në fund të fazës së parë. Kemi 6 ndeshje në Lezhë, që do t’i fitojmë të gjitha, si dhe synoj të marrim 3-4 pikë në transfertë. Kështu, me 22-23 pikë Besëlidhja do të jetë në 6 skuadrat e para në fund të fazës së parë.”
Gjithsesi, Besëlidhja në këto dy ndeshje të para ka shfaqur edhe mungesë stabiliteti në formacionin e saj, pasi në Lezhë nuk ishin titullarë 3 futbollistë, të cilët një javë më parë ishin në përbërjen të skuadrës në Elbasan. Me Kamzën u aktivizuan dy të rinj, të cilët, sipas Gjetjes, janë paraqitur shumë mirë, duke e bindur për t’i pasur në konsideratë. Këtë mungesë stabiliteti në formacion, teksa skuadra ka zhvilluar dy muaj fazë përgatitore dhe 5 ndeshje miqësore, tekniku lezhjan e argumenton kështu: “Së pari, kemi pasur largime lojtarësh titullarë, siç janë Alcani dhe Toma, një javë përpara fillimit të kampionatit. Kemi afruar ditët e fundit 2-3 lojtarë, të cilët nuk i kemi testuar ende. Së dyti, në përshtatje me aftësitë individuale të çdo futbollisti, jam përpjekur ta ndryshoj modulin e lojës në raport me kundërshtarin e radhës, por edhe gjatë 90 minutave të lojës. Aktualisht, ndërprerja e kampionatit do të na shërbejë për të saktësuar nivelin teknik të lojtarëve të afruar, Canajt dhe Rrustes, ndërkohë që deri në ndeshjen e radhës në Gramsh do t’i kemi minimizuar mangësitë dhe konsoliduar formacionin,” - përfundoi trajneri i Besëlidhjes, Valentin Gjetja.
Sporti Shqiptar
Back To Top