Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Lezhjanët “kënaqen” me pikën e parë në kampionat

Barazim pa gola në stadiumin “Besëlidhja”, që dje ka pritur ekipin lezhjan në të parën ndeshje brenda për këtë kampionat. Duke ditur se në Lezhë vinte një skuadër me pretendime për në superligë dhe me futbollistë cilësorë në përbërje, pritej një ndeshje interesante, por duhet thënë se ritmi i lojës në këtë 90-minutësh la shumë për të dëshiruar. Ai nuk u ngrit as në nivelin mesatar, megjithëse pati disa raste për shënim, por që u shpërdoruan nga të dyja palët. Ka mbetur i pazhbllokuar rezultati në 45-minutëshin e parë, por edhe pjesa e dytë nuk ndryshoi asgjë në lojën e të dyja skuadrave. Për rrjedhojë, rezultati mbeti i pandryshuar, pavarësisht ndërrimeve të bëra nga trajnerët Haxhia dhe Gjetja. Goli mbeti vetëm një dëshirë për lezhjanët në këtë ndeshje të parë para tifozërisë së tyre, por edhe Kamza nuk u shfaq në asnjë moment si një skuadër e denjë për të pretenduar ngjitjen në superligë. Me shumë emra të njohur në gjirin e saj, ajo nuk mundi ta vinte asnjëherë në rrezik serioz portierin e Besëlidhjes. Pritej një reagim më i mirë i skuadrës lezhjane, që e kishte humbur ndeshjen e parë të kampionatit në Elbasan, por edhe në fushën e saj ajo nuk ka shkuar më larg se barazimi. Në fund të ndeshjes patën një mundësi të mirë për të shënuar miqtë nga Kamza, por që edhe ata nuk ia arritën qëllimit. Duhet thënë se në shumë momente loja ka qenë e mërzitshme, pasi kanë munguar gjuajtjet në drejtim të portave respektive dhe aksionet e rrjedhshme. Kamza kishte ardhur në Lezhë me shumë pompozitet, nisur nga fakti se ka bërë një merkato të fuqishme gjatë verës, por ajo u kthye pa marrë rezultatin që pretendonte. Kurse Besëlidhja, me djem të rinj në radhët e saj, e përballoi me sukses takimin, duke dhënë shenja të mira për një të ardhme më të mirë në kampionat. Në drejtimin e trajnerit Valentin Gjetja, lezhjanët do të fillojnë menjëherë përgatitjet për ndeshjen e radhës. Ata shkojnë të luajnë në fushën e Gramshit, ku shpresohet të arrihet fitorja e parë.

Thanë pas ndeshjes
Valentin Gjetja, trajneri i Besëlidhjes: “Patëm përballë një kundërshtar të fortë dhe e përballuam me sukses atë. Jam i kënaqur me djemtë, të cilët zhvilluan një ndeshje të mirë, pavarësisht se nuk arritëm dot te goli. E ardhmja është e sigurt për fitore të Besëlidhjes.”
Petrit Haxhia, trajneri i Kamzës: “Besëlidhja është një skuadër që prodhon futboll dhe ne mund ta pësonim, por u kthyem pa gola në shtëpi. Nisur nga përbërja që kemi, duhet të fitonim në Lezhë, por Besëlidhja na vuri në vështirësi dhe them se duhet të përmirësohemi në vazhdim të kampionatit. Janë vetëm dy ndeshjet e para dhe rruga drejt superliges ësht e gjatë, kështu që duhet punë e madhe për ta arritur objektivin.”

Back To Top