Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Tifozët lezhjanë presin më shumë nga Besëlidhja


Ekipi lezhjan i ka të gjitha mundësitë këtë sezon për të arritur një objektiv madhor
“Patëm përballë një kundërshtar të fortë, në përbërje të të cilit ka futbollistë cilësorë, me përvojë të madhe dhe të mirëpaguar. Mendoj se e përballuam me sukses ekipin e Kamzës dhe jam i kënaqur me lojën dhe rezultatin.” Këto kanë qenë fjalët e trajnerit të Besëlidhjes, Valentin Gjetjes, pas atij barazimi pa gola kundër Kamzës në Lezhë. Nisur nga gjykimi i tij, pas deklaratave tepër euforike të drejtuesve kamzalinj para ndeshjes, mund të thuhet se trajneri lezhjan ka të drejtë. Por, po të gjykojmë për atë çfarë u pa në fushën e lojës, trajneri Gjetja dhe ekipi i tij duhet të kishin guxuar më shumë për të arritur fitoren. Ndërkaq, vendësit në fund të pjesës së parë iu afruan dy herë golit, por Toma dhe Majtara gabuan në goditjet finale.
Trajneri lezhjan shprehet i kënaqur për gjendjen e ekipit dhe rezultatet në këtë fillimkampionati, kur thotë: “E kemi nisur mirë kampionatin dhe them se në ndeshjen me Kamzën fitova dy futbollistë të rinj, të nevojshëm për Besëlidhjen. Ata janë Baraku dhe Shyti, ndërkohë që e ardhmja e ekipit tonë do të jetë edhe më e mirë, pasi thuhet se do të afrohet edhe një dontor, i cili do të na i ndalte dhembjet e kokës për problemet financiare.” Më pas, trajneri Gjetja, duke vlerësuar kundërshtarët e dy javëve të para, thekson se në Elbasan loja e vendësve nuk kishte diferencë ndaj asaj të lezhjanëve, pavarësisht se u pësuan dy gola. Sipas tij, Besëlidhjes i janë mohuar dy gola të rregullt.
Gjithashtu, edhe ekipi i Kamzës nuk shfaqi vlera në lojë, përkundrazi, Besëlidhja ishte më këmbëngulëse dhe më pranë fitores. Kështu, rezultatet e dy javëve të para duhej të ishin me një ose dy pikë më shumë. Teksa drejtuesit lezhjanë besojnë te të rinjtë, në të vërtetë Besëlidhja ka futbollistë të tillë, si Toma, Gruda, Danaj, Kruja, Gega, Nikolli e ndonjë tjetër, të luajnë prej vitesh në kategorinë e parë dhe në superligë. Pra, janë 5-6 futbollistë me përvojë, që të harmonizuar me të rinjtë, kanë mundësi të arrijnë objektiva madhorë.
gjithashtu, ekipi drejtohet nga një teknik me përvojë dhe prej 6 muajsh klubi ka afruar si drejtor teknik Nikolin Lorencin, i njohur si futbollist cilësor, drejtues dhe trajner. Klubi lezhjan drejtohet nga një specialist, i cili ka përvojë drejtuese mbi 20-vjeçare në sporte, që është Pjetër Lesi. Ndaj dhe futbolldashësi lezhjan pret më shumë nga Besëlidhja, sepse ajo i ka të gjitha resurset dhe potencialet njerëzore për një futboll të nivelit të lartë. Megjithatë, është vetëm fillimi i kampionatit dhe optimizmi i stafit teknik ka kohë të materializohet. E tillë është edhe dëshira e tifozërisë lezhjane dhe e gjithë opinionit futbolldashës, që për hir të së vërtetës, sikur është ftohur pak këto kohët e fundit me ekipin.
Back To Top