Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Lesaj: Besëlidhja nuk është më indiferente


Sekretari i klubit lezhjan, Pjerin Lesaj, komenton gjendjen e skuadrës dhe objektivat e saj
Skuadra lezhjane, që është paraqitur dobët gjatë javëve të para të kampionatit, duket se po ndryshon. Me ardhjen e trajnerit Gjyla, disa gjëra janë rregullur, siç është kërkesa më e lartë ndaj futbollistëve në stërvitje dhe ndeshje. Drejtuesit lezhjanë synojnë që skuadra e tyre të marrë pikët maksimale në fushën e saj dhe ndonjë pikë jashtë, me qëllim që të renditet në mesin e tabelës në fund të fazës së parë. Këtë e thotë në intervistën e mëposhtme sekretari i klubit, Pjerin Lesaj. Ai bën të ditur se disa titullarë do të largohen, por nuk i bën të ditur emrat e tyre.
- Fitore e pastër 3-0 ndaj Bilisht Sportit. Rastësi apo është kjo kthesa e Besëlidhjes?
- Kjo fitore është ajo çka prisnim nga skuadra. Eshtë kthesa e dëshiruar, madje në shumë aspekte. Para së gjithash, skuadra luajti shumë mirë, pati shpirt gare dhe rezultati ishte i pastër.
- Sipas jush, çfarë ka ndryshuar në skuadër?
- Në fakt, është vazhdimi i punës së bërë, me disa korrigjime, që ishin dhe rezultonin “Thembra e Akilit” për Besëlidhjen. Trajneri Gjyla ka ndryshuar taktikën e lojës dhe vendosjen e futbollistëve në fushë. Fanellën e titullarit po e veshin futbollistët, të cilët kanë formën më të mirë. Eshtë forcuar kërkesa e llogarisë për secilin prej tyre në stërvitje dhe ndeshje, me qëllim që ata t’i kryejnë detyrat. Te Besëlidhja nuk ka përmbysje, procesi është në vazhdimësi, por kërkesa e llogarisë është më e fortë, sepse kemi pasur shenja indiferentizmi nga futbollistë të veçantë.
- Besëlidhja do të vazhdojë t’u qëndojë objektivave të saj?
- Synojmë të vazhdojmë të korrigjohemi për të fituar të gjitha ndeshjet në Lezhë dhe për të marrë pikë në transfertat e mbetura, në mënyrë që në fund të fazës së parë të jemi në mesin e renditjes.
- Vërejmë se keni afruar përsëri futbollistë nga U-19. Me çfarë qëllimi?
- Do të largojmë disa futbollistë, të cilët nuk po i shërbejnë Besëlidhjes. Këta nuk e ndiejnë fare peshën e fanellës. Do të zëvendësohen me 4-5 futbollistë të rinj nga skuadra U-19.
- Dhe së fundmi, cili është objektivi juaj për ndeshjen e radhës në transfertë me Sopotin?
- Shpresojmë të bëjmë një lojë të mirë, për të mos u larguar pa pikë nga Librazhdi.

Mehmeti: Lezhjanët t’i harrojnë pikët në Librazhd
Megjithëse kishin shpresë për të mos dalë pa pikë nga derbi me Turbinën, lojtarët e Sopotit janë kthyer kokulur, pas humbjes 3-1. Por kjo humbje nuk shihet si tragjedi, duke parë situatën te librazhdasit, aq më tepër që në prag është ndeshja me Besëlidhjen. Fakti që mbeten në katet e poshtme të tabelës së kalsifikimit, i detyron lojtarët e Sopotit, që të paktën në fushën e tyre, të lënë pikë. Në këto kushte, ata pritet t’i shkarkojnë të gjitha “bateritë” ndaj Besëlidhjes, në kërkim të fitores. Të gjithë kanë besim, por “labi” i mbrojtjes së Sopotit, Endri Mehmeti, thekson se lezhjanët duhet t’i harrojnë pikët në Librazhd: “Nëse me Turbinën do të kishim marrë pikë, situata do të ishte më ndryshe. Por tani që kemi humbur, në fushën tonë mendojmë vetëm fitoren.
Ekipi i Besëlidhjes meriton respekt, por miqtë bëjnë mirë të mos llogarisin pikë, sepse Sopotit i hyn në punë vetëm fitorja,” - thotë Mehmetaj, i cili është i kënaqur për rikthimin e tifozëve të Sopotit, pas pezullimit me 2 ndeshje. “Tifozëria kudo është një mbështetje për lojtarët. Ajo të motivon më shumë për të dhënë maksimumin. Nuk mund ta fsheh kënaqësinë dhe them se rikthim i tifozëve në ndeshjen e radhës do të jetë një shtysë e madhe për ne. Duam t’u dhurojmë fitoren atyre në ndeshjen me Besëlidhjen,” - përfundon biondi vlanjat, pjesë e rëndësishme e formacionit të Sopotit.

Sporti Shqiptar
Back To Top