Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Luftëtari nuk i reziston Besëlidhjes

Në një terren të rënduar nga shirat e rënë këto ditë është zhvilluar ndeshja Besëlidhja‑Luftëtari. Megjithëse vendësit e fillojnë lojën me sulme të njëpasnjëshme dhe me një rast për Gegën, miqtë nga Gjirokastra, pa kaluar 10 minuta, shënojnë me Stojën. I shton përpjekjet Besëlidhja në kërkim të golit të barazimit, por gjirokastritët janë vendosur mirë në fushë dhe përshtaten mirë me terrenin. Por pas 30 minutash miqtë detyrohen të luajnë me 10 veta, pasi gjyqtari Masha largon me karton të kuq Gaxhajn. Besëlidhja barazon në minutën e 42-të, me anë të 17-vjeçarit Kulli, i futur në lojë si zëvendësues. Edhe pjesën e dytë vendësit e fillojnë me një rast të humbur, kur Haxhia shërben saktë për Kullin, por ky gjendet në kundërkohë. Talenti lezhjan korrigjon gjithçka në minutën e 60‑të, kur me zgjuarësi nuhat aksionin e talentit tjetër, Grishit, duke shënuar golin e dytë me një goditje të befasishme. Vështirësohen punët për futbollistët miq, të cilët, me një lojtar më pak, përpiqen të kundërsulmojnë me Pustinën. Në minutën e 70‑të ai godet bukur me kokë, por topi kalon mbi traversë. Pas 6 minutash është përsëri Pustina, që e përplas topin në pingulen e djathtë të Demit. Në 20 minutat e fundit miqtë janë lëshuar në gjysmëfushën lezhjane me shumë forca, duke rrezikuar gjithçka për të barazuar. Ata e qarkullojnë saktë topin, por nuk arrijnë ta rrezikojnë portën e Demit. Në këto kushte, gjirokastritët lënë hapësira në prapavijë, që vendësit i shfrytëzojnë, duke krijuar disa raste. Madje, në minutën e 88‑të, punëshumi Grishi shënon edhe golin e tretë për Besëlidhjen. Mbyllet kështu me fitoren e lezhjanëve ky takim.


Sporti Shqiptar
Back To Top