Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja i jep një leksion Elbasanit

Lezhjanët fitojnë 3 pikët në kohën shtesë ndaj një kundërshtari shumë të fortë
Një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës së 16-të, ajo mes Besëlidhjes dhe Elbasanit, është mbyllur me fitoren e lezhjanëve. Këta të fundit kanë pasur edhe fat në këtë 90-minutësh, kur në minutat shtesë kanë shënuar golin e fitores me anë të Tomës. Me disa ndryshime në kontigjentin e lojtarëve, Besëlidhja ka përballuar mjaft mirë një ekip pretendent për superligën, siç është Elbasani, duke e nisur fazën e dytë me këmbë të mbarë. Trajneri Gjyla ka hedhur në fushë formacionin më të mirë, ndërsa mesfushorin Gruda e ka kthyer në të majtë të mbrojtjes.
Besëlidhja luan mirë në fillim dhe mendon për sulmin, por ndëshkohet në minutën e 10-të, kur Dervishi shënon golin e parë për Elbasanin. Ky gol i pësuar i shkund lezhjanët, të cilët e shpërngulin lojën në gjysmëfushën mike. Ivanaj, Lamnica dhe Përlleshi shfaqen rrezikshëm përpara portës së Elbasanit, por nuk arrijnë ta barazojnë rezultatin. Miqtë mbrohen me të gjitha mënyrat dhe shpesh shkaktojnë faulla. Besëlidhja barazon në minutën e 21-të, me anë të një goditjeje dënimi.
Gruda mposht Mançevskin, pasi e kalon topin mbi murin. Lezhjanët inkurajohen nga ky gol dhe luajnë me ritëm të lartë, ndërsa elbasanasit vetëm mbrohen. Lamnica, falë shtatlartësisë së tij, e ndihmon ekipin vendës të rrezikojë në zonën e Elbasanit.
Në një aksion ai del përballë portierit Mançevski, që e ndalon në mënyrë të gabuar. Gjyqtari Meta jep goditje dënimi dhe karton të kuq për portierin maqedonas. Grishi shënon golin e dytë nga kjo goditje dënimi dhe lezhjanët shkojnë në dhomat e zhveshjes në avantazh. Elbasani, edhe pse me 10 lojtarë, përpiqet në pjesën e dytë, por janë lezhjanët ata që shfaqen më rrezikshëm. Dervishi dhe Hyshmeri provojnë të shënojnë dhe ia arrijnë qëllimit me anë të të dytit, duke barazuar rezultatin në minutën e 52-të. Hyshmeri shfrytëzon një gabim të lezhjanëve dhe të portierit Dura.
Iniciativa është e Besëlidhjes deri në fundin e ndeshjes, por sulmuesi Haxhia dhe mesfushori Përlleshi nuk arrijnë të shënojnë. Në minutat shtesë, përsëri me anë të një goditjeje dënimi, Besëlidhja shënon golin e fitores. Eshtë Toma, i cili realizon me kokë, duke i dhënë ekipit të tij 3 pikë shumë të rëndësishme, ndërsa Elbasani kthehet nga Lezha me humbje. Trajneri Gjyla u shpreh i kënaqur për këtë fitore të vështirë.

Besëlidhja - Elbasani 3-2
Besëlidhja: Dura, Noka, Toma, Danaj, Gruda, Gjyzeli (Kruja 64′), Rusti, Grishi, Përlleshi, Lamnica (Kulli 36′), Ivanaj (Haxhia 70′). Trajner: I.Gjyla.
Elbasani: Mançevski, Mehmetaj, Bello, Xhangarovski, Kaçuli, Merxha (Ibrahimi 86′), Dalipi, Çapja, Hyshmeri, Dervishi (Ferra 84′), Raboshta (Dushku 36′). Trajner: M.Dosti.
Shënues: Gruda 21′, Grishi 36′, Toma 90′ / Dervishi 10′, Hyshmeri 52′
Gjyqtarë: K.Meta, D.Rexha (Tiranë), F.Lame (Durrës)
Kartonë të verdhë: Gjyzeli, Noka, Toma, Raboshta, Hyshmeri
Karton i kuq: Mançevski

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top