Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Kulli: Besëlidhja, fitore edhe me Bylisin

Trajneri i ekipit lezhjan, Ritvan Kulli, kërkon tri pikë në ndeshjen e sotme me kryesuesit
Ndryshimet në stafin teknik dhe atë drejtues te klubi “Besëlidhja” kanë ndikuar për mirë në ecurinë e ekipit gjatë pesë javëve të fundit. Lezhjanët, në këto 5 javë kanë marrë 11 pikë, duke arritur tri fitore, dy në Lezhë dhe 1 në Bilisht, si dhe dy barazime në transfertat e Burrelit dhe Gjirokastrës. Këto janë rezultate shumë të mira, kur mendon se përpara pesë javësh Besëlidhja rrezikonte seriozisht qëndrimin në kategorinë e parë, ndërsa tani i është larguar përfundimisht të ashtuquajturës zonë e ftohtë.
Trajneri Ritvan Kulli, i cili e mori ekipin pas largimit të lushnjarit Ilir Gjyla, e ndien se Besëlidhja e tij nuk është ende në nivelin që ai kërkon. “Vërtet ekipi ka bërë kthesën, por na duhet që në fushën tonë, me Bylisin dhe me Adën, të marrim rezultate pozitive për t’u ngjitur më lart në renditje. Nuk e kemi luksin për t’i marrë të lehta përballjet me këto ekipe, pasi duhet qëndrueshmëri në rezultate. Në ndeshjen e radhës me ballshiotët kryesues duhet të luajmë për fitore, pasi jemi në kushte të tilla, ku tri pikët na duhen shumë. Kundërshtari e ka siguruar kalimin në superiore dhe ka për të ardhur në Lezhë për rezultat pozitiv, por ne jemi të vendosur që ta ndalim.
Ekipi është përgatitur për këtë përballje dhe besoj se, edhe me mbështetjen e tifozërisë sonë, do t’ia dalim mbanë,” - thotë trajneri i Besëlidhjes, Ritvan Kulli. Në një mendje me të është edhe sekretari i ri i klubit lezhjan, Nikoll Vocaj: “Besëlidhja është në gjendje mjaft të mirë dhe besoj se mund të fitojmë me ballshiotët. Mendoj se çelësi i sukseseve tona është harmonia dhe forca e grupit. Skuadra është e motivuar moralisht dhe materialisht, ndaj besojmë shumë tek ajo,” - përfundon drejtuesi i futbollit lezhjan.
Për ndeshjen e sotme Besëlidhjes do t’i mungojnë portieri Bledar Dura dhe Sadush Danaj, të dy të skualifikuar. I pari u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen me Luftëtarin, kurse i dyti ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Megjithatë, lezhjanët janë të karikuar për të mos gabuar në 90-minutëshin e sotëm me Bylisin e vendit të parë.

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top