Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Kulli: Fryma e grupit po ngre Besëlidhjen

Trajneri Ritvan Kulli mund të konsiderohet pa asnjë dyshim shpëtimtari i skuadrës lezhjane
Sezonin që është drejt fundit, Besëlidhja e pati nisur me synimin për t’u ngjitur në superligë, por kjo skuadër, nën drejtimin e Valentin Gjetjes dhe pas largimit të tij të lushnjarit Ilir Gjyla, nuk bëri përpjetë. Kështu objektivi ndryshoi nga ngjitja në superligë në mbijetesë në kategorinë e parë. Vetëm me ardhjen në krye të stolit lezhjan të Ritvan Kullit, gjithçka ndryshoi për mirë dhe në 6 javë Besëlidhja mori plot 14 pikë, duke u kthyer në “zonën e ngrohtë” të tabelës së renditjes. Në qytetin e tij të lindjes, Kulli është trajtuar si trajner emergjent, por vazhdimisht ka qenë rezultativ.
Madje, në fillimet e karrierës së tij, e pati ngritur Besëlidhjen në kategorinë e parë (aktualisht superliga), por sezonin pasardhës drejtuesit, duke i vlerësuar si “të njoma” shpatullat e tij, nuk ia besuan skuadrën. Në sezone të tjera, Kulli e ka nxjerrë Besëlidhjen nga gjendja e vështirë dhe përsëri e kanë larguar, teksa ai nuk është tërhequr asnjëherë dhe ka vijuar të punojë me skuadrën e të rinjve. Duke folur për fitoren e fundit me Bylisin në Lezhë, ai thotë: “Ka qenë një fitore e merituar në çdo aspekt.
E vlerësuam realisht kundërshtarin dhe dominuam në lojë, me gjithë përpjekjet e miqve për të na goditur në befasi nëpërmjet kundërsulmit.” Më tej, i pyetur se çfarë ka ndryshuar te Besëlidhja në këto gjashtë javë, ai përgjigjet: “Kanë ndryshuar pak gjëra, por kanë qenë esenciale. Eshtë krijuar fryma e grupit dhe harmonia brenda skuadrës. Tani Besëlidhja luan në bllok dhe futbollistët e dublojnë shumë mirë njëri-tjetrin.
Për më tepër, skuadra është e motivuar dhe luan me dëshirë, pavarësisht nga kundërshtari i radhës dhe pozicioni i tij në renditje. Pjekuria dhe përvoja e Ndrekës, Tomës, Krujës dhe Ivanajt, është gërshetuar me dëshirën dhe dhuntitë më të mira të të rinjve Grishi, Danaj, Noka, Haxhiu, Buraku, Shyti dhe Kulli.”
Ndërsa për ndeshjen e kësaj fundjave, kur në Lezhë vjen Ada, trajneri Kulli mendon: “Ada është një skuadër, që luan futboll të bukur dhe ka lojtarë me bagazh të mirë tekniko-taktik. E konsideroj një kundërshtar të vëshirë, por ne do të bëjmë më të mirën e mundshme për të marrë tri pikët, duke pasur edhe mbështetjen e tifozërisë.”
Mullai: Memaliaj, “viktimë” e aleancave të pista
Memaljotët kanë arritur fitoren aq shumë të dëshiruar me Gramshin, madje me një rezultat të thellë, që rrit shpresat e tyre për të mbijetuar në kategorinë e parë. Për mbrojtësin Mullai, i cili është autori i një goli në ndeshjen e fundit, Memaliaj po goditet nga aleanca e pista të rivalëve të tij.
Ai thekson se po bëhet gjithçka, madje po afrohen edhe para, që skuadra memaljote të dëmtohet dhe të bjerë nga kategoria: “Ne do të luajmë pastër, duke ia bërë hyzmetin çdo takimi për të marrë maksimumin e pikëve, sepse kemi përgjegjësi për fanellën. Këtë javë udhëtojmë drejt kryeqytetit për t’u ndeshur me Partizanin, që ka objektivat e tij, por do të përpiqemi të marrim një barazim, duke u kujdesur për mbrojtjen. Ndoshta edhe mund t’u shënojmë të kuqve, nëse ata gabojnë.
Si deri tani, edhe në përballjen me ta do të luajmë pa kompleksin e inferioritetit, duke demonstruar vlerat tona më të mira. Edhe pse po luhet në mënyrë të pistë kundër Memaliajt, ne do të vazhdojmë të luftojmë me ndershmëri deri në sekondën e fundit,” - tha Mullai. Memaliaj ndodhet në vendin e parafundit, në kuotën e 20 pikëve.
Demiri: Po mundëm Pogradecin, jemi të sigurt
Ndeshja e së shtunës me Pogradecin është vlerësuar maksimalisht nga bilishtarët, sepse një fitore e mundshme i largon përfundimisht nga zona e “play out” it. Dhe duke qenë se luhet në shtëpi, të gjithë në kampin bilishtar po i bëjnë hyzmetin ndeshjes për ta fituar. Pas barazimit në Cërrik, morali është në shkallën e duhur dhe optimizmi për suksesin ndaj liqenorëve është i madh. Në fakt, stafin teknik e shqetësojnë mungesat e shumta, nga të cilat të sigurta janë ato të Kotes dhe Rënjës, të ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e fundit.
Megjithatë, futbollistët e Bilisht Sportit nuk duan që ky rast t’u ikë nga duart dhe do të bëjnë ç’është e mundur që të kthehen te fitorja. Ky është edhe mendimi i Enea Demirit, autorit të golit të rëndësishëm në Cërrik, i cili thotë: “Ndeshja me Pogradecin është vendimtare. Në rast se fitojmë, gjë që ka shumë mundësi të ndodhë, do të jemi të qetë, pasi nuk mund të arrihemi nga skuadra e tjera. Nuk e meritojmë të luajmë ndeshje shtesë për të siguruar qëndrimin, kështu që do të japim gjithçka në fushë për ta mundur Pogradecin. Na mjafton kjo fitore dhe duhet ta marrim patjetër, pavarësisht se do të kemi mungesa.”

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top