Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Lamnica i jep tri pikë të arta Besëlidhjes

Një fitore e merituar e ekipit lezhjan ndaj Bylisit kryesues, pasi qysh në fillim vendësit janë treguar këmbëngulës. Ata e kanë zhvendosur lojën në gjysmëfushën mike, por pa arritur të shfaqen rrezikshëm te porta e Egbosë, shpesh për gabimet e tyre në pasimin e fundit, por edhe për meritë të vendosjes shumë të mirë të miqve. Bylisi, deri në momentin që ka pësuar golin, ka luajtur thjesht, duke u kujdesur më shumë për mbrojtjen, me synimin për ta kapur në befasi ekipin lezhjan. Ballshiotët vetëm pasi kanë pësuar gol sikur janë gjallëruar në lojën e tyre, madje mund të kishin barazuar në minutën e 67‑të, kur topin e krosuar nga Kule nuk e ka arritur asnjë nga sulmuesit t’ia ndryshojë drejtimin. Besëlidhja e dominon lojën në çdo drejtim, madje në pjesën e parë luan në gjysmëfushën ballshiote. Çdo repart i Besëlidhjes është në lartësinë e duhur, por në veprimet sulmuese ka konfuzion dhe veprime të ngadalta, të lexueshme dhe që neutralizohen lehtë nga mbrojtja mike. Megjithatë, futbollistët lezhjanë shfaqin shpirt të lartë gare, luftë për topin e parë dhe dëshirë për fitore. Edhe trajneri Kulli është shprehur i kënaqur nga loja dhe rezultati i ndeshjes. Nën drejtimin e tij, Besëlidhja, në gjashtë ndeshje, ka marrë 14 pikë (4 fitore dhe 2 barazime). Dhe futbollisti që i ka dhënë 3 pikët e radhës Besëlidhjes, ka qenë Lamnica, i cili, pasi ka marrë një pasim nga Grishi, ka shënuar me gjakftohtësi në portën e Egbosë. Ka qenë minuta e 57-të dhe më pas, pavarësisht përpjekjeve të të dyja palëve, rezultati nuk ka ndryshuar.

Besëlidhja ‑ Bylis   1‑0
Besëlidhja: Danaj, Ndreka, Ndoka, B.Toma, S.Toma, Nikolli, Rrustja (Shyti 90′), Grishi, Haxhia (Kruja 85′), Lamnica, Ivanaj (Buraku 82′). Trajner: R.Kulli.
Bylis: Egbo, Besha (Alomeroviç 72′), Bega, Kepi, Bejktoviç, Arbri, Kule, Popoviç, Gega (Idrizi 62′), Milunoviç (Muçaj 83), Dimo. Trajner: I.Spahiu.
Shënues: Lamnica 57′
Gjyqtarë: K.Hakrama, E.Doda, F.Mata (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Bega, Besha, Arbri, Lamnica, Ndoka

Deklaruan…
Ritvan Kulli, trajner i Besëlidhjes: “E merituam fitoren. Ishte loja më e mirë që kemi zhvilluar deri tani në Lezhë. Megjithëse kishim pak trysni psikologjike, arritëm ta kalojmë me sukses këtë ndeshje shumë të vështirë. Them se ky ekip nuk humbet në asnjë ndeshje në vazhdim.”

Ilir Spahiu, trajner i Bylisit: “Kjo humbje nuk e zbeh objektivin tonë. Më pëlqeu qëndrimi tepër korrekt dhe i kulturuar i tifozërisë, si dhe loja e pastër. Bukurinë lojës ia prishi gjykimi, që, për mendimin tim, me disa veprime, e uli ritmin e lojës sonë.” 

Burimi: Sporti Shqiptar

Back To Top