Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Arbri: Me këtë moral, s’e diskutojmë Besëlidhjen

SPORTI SHQIPTAR: Sulmuesi i Lushnjës, Klodian Arbri, shpreh bindjen për fitore të shtunën, por edhe në ndeshjen shtesë

E mërkura ka qenë një ditë më impenjative për skuadrën lushnjare, sepse stafi teknik ka zhvilluar ndeshjen e zakonshme të kontrollit. Nga ky test do të dalë edhe formacioni titullar për ndeshjen me Besëlidhjen në “Roza Haxhiu”, ku lushnjarët luajnë vetëm për fitore, që i mban në vendin e 4-t dhe u jep mundësinë e ndeshjes shtesë. Por askush nuk po mendon kaq larg në këtë moment në Lushnjë, sepse e gjithë vëmendja është e drejtuar te Besëlidhja. Nuk ka asnjë neglizhim dhe të gjithë po punojnë për të dhënë maksimumin.
Nga sa është parë, formacioni do të jetë ai që fitoi në Skrapar. Trajneri Bano dhe ndihmësit e tij, Dushi e Çuko, besojnë verbërisht te forca e skuadrës së tyre, që gëzon moral të lartë pas fitores në transfertën e fundit. Mbeten dhe 90 minuta, që Lushnja të sigurojë një ndeshje kualifikuese për një kategori më lart dhe puna vazhdon me më shumë grintë, për të mos e diskutuar fitoren me lezhjanët. “Skuadra po shprehet mirë në fushë, sidomos në ndeshjet e fundit. Ky është një plus për të gjithë ne në arritjen e objektivit.
Fitorja në Skrapar ishte vendimtare, pasi, nëse linim pikë, do të përfitonin rivalët,” - thotë fillimisht për “Sportin shqiptar” sulmuesi beratas i Lushnjës, Klodian Arbri. Pas kthimit nga dëmtimi javën e shkuar, ai ka shënuar një gol të rëndësishëm, pas një goditjeje nga këndi. “Merita e fitores është e gjitha e ekipit. Unë shënova një gol, pasi isha në kohën e duhur, në vendin e duhur. Për të arritur deri te fitorja, na paraprinë minuta të tëra ankthi dhe loje të fortë, madje edhe jashtë normales.
Për të mos përmendur gjykimin, që ishte kundër Lushnjës. Nuk dua ta komentoj rastin e 11-metërshit, por dua që edhe unë ta falënderoj portierin Spaho, i cili është i mrekullueshëm. Po të barazohej rezultatati, do të kishim më pak shanse për të fituar,” - thekson më tej sulmuesi beratas, i cili, për ndeshjen me Besëlidhjen pohon se fitorja nuk do të diskutohet: “Me Besëlidhjen jam i bindur se do të fitojmë pastër dhe kështu do të marrim vendin e “play-off”-it. Jam i bindur se do ta realizojmë ëndrrën e të gjithëve ne si futbollistë dhe të tifozërisë sonë për ta ngjitur Lushnjën në superligë,” - ka përfunduar Arbri.
Ekipi lushnjar, pas ndeshjes së kontrollit, është grumbulluar në një hotel larg qytetit, ashtu siç ka bërë edhe javën e kaluar. Në këtë mënyrë, jo vetëm stafi teknik, por edhe drejtuesit e klubit kërkojnë përqendrimin maksimal të futbollistëve për ndeshjen e radhës, ku të gjithë presin fitoren.
Back To Top