Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja e mbyll me humbje sezonin

Lushnja ‑ Besëlidhja   1-0
Sporti Shqiptar: Lushnjarët kanë marrë tri pikët e fundit për këtë sezon, duke mundur Besëlidhjen në fushën e tyre, falë aftësive të kapitenit Gentian Çela. Ka qenë pikërisht numri 10 i skuadrës lushjnare, i cili ka ekzekutuar një goditje dënimi në minutën e 33-të të takimit, që rezultoi fatale për përpjekjet e dëshpëruara të lezhjanëve për të marrë pikë. Takimi ka qenë shumë i ngarkuar emocionalisht, sepse skuadra lushnjare duhej të ruante vendin e 4-t dhe në fund ia arriti qëllimit. Gjithë skuadra ka treguar më të mirën ndaj një Besëlidhjeje, që as në fazën e parë nuk ishte shfaqur kaq e fortë ndaj verdhëjeshilëve. “Nuk luajtëm për askënd, por për veten tonë,”- tha në fund trajneri Kulli, por, nëse gjithmonë do të kishte luajtur kështu, skuadra e tij duhej të ishte shumë më lart në renditje. Gjithsesi, kthehemi te rastet e ndeshjes në “Roza Haxhiu”, ku lushnjarët e kanë nën kontroll lojën. Goli nuk del në dritë, pasi Bubeqi dhe Arbri shpërdorojnë shumë, ndërkohë që edhe mesfusha është disi më e tërhequr se zakonisht. Minutat e para tregojnë se Besëlidhja kishte ardhur me synime të qarta. Lojtarët e saj kanë lirshmërinë e duhur në veprime, gjë që lushnjarëve u mungon. Megjithatë, Koreshi, Byzhyti dhe Topi bëjnë më të mirën, kurse mbrojtja e lezhjanëve është në një ditë të mirë. Për zhbllokimin e rezultatit duhej të vinte minuta e 33-të, kur kapiteni Çela do të ekzekutonte aq bukur një goditje dënimi. Pozicioni është ai i preferuari për fantazistin, që nga rreth 25 metra e dërgon topin atje ku portieri Dani nuk mund të bëjë gjë. Pjesa e parë nuk ka asgjë tjetër, sepse lushnjarët, edhe pse provojnë me Topin e Bubeqin, nuk e gjejnë rrugën e rrjetës. Në fraksionin e dytë miqtë bëjnë ndryshime në formacion dhe e përmirësojnë ndjeshëm lojën. Ata rrezikojnë në portën lushnjare, por pa rezultat. Edhe Lushnja ka rast me Bubeqin për të dyfishuar, por është e thënë që ai të mos jetë protagonist. Loja vijon me sulme dhe kundërsulme të rrezikshme deri në minutën e 80-të, kur trajneri Bano, për të mos rrezikuar, hedh në fushë edhe një mbrojtës. Minutat e mbetura nuk kanë asgjë për të shënuar dhe, me këtë fitore, skuadra e drejtuar nga trajneri Artan Bano, sheh për nga superliga, pasi pret të mësojë emrin e kundërshtarit në ndeshjen shtesë.

Thanë pas ndeshjes
Artan Bano, trajner i Lushnjës: “Ishte një takim shumë i vështirë. E dinim që nuk do ta kishim të lehtë përballë Besëlidhjes, që ka shumë futbollistë të njohur. Gjatë gjithë ndeshjes kemi qenë zotër të fushës, por emocionet bënë që futbollistët tanë të gabonin jo pak. Shënuam vetëm një gol, që na dha të drejtën të jemi në vendin e 4-t. E kemi arritur këtë vend me shumë sakrificë, me shumë djersë dhe me gjak, pasi kemi qenë të vetëm ndaj të gjithëve. Tani mendojmë vetëm për ndeshjen e “play-out”-it.”
Ritvan Kulli, trajner i Besëlidhjes: “Ka qenë një takim shumë i bukur nga të dy ekipet. Kam dëgjuar se ne kemi luajtur për Partizanin, por unë po them që jo. Kemi luajtur vetëm për të treguar se jemi një ekip me vlera, madje po e them se në këtë takim kam qenë me një portier të dytë dhe për më tepër të dëmtuar. Në këto 8 javë kam humbur vetëm këtë takim. I uroj suksese Lushnjës për kalimin në superligë, pasi çdo ekip i superligës me të do ta këtë të vështirë.”

Lushnja ‑ Besëlidhja   1-0
Lushnja: Spaho, Dhima, Sulo, Bufasi, Prela, Çela, Byzhyti, Koreshi (Kule 87′), Topi, Arbri (Sulo 79′), Bubeqi (Pepa 90′).
Trajner: A.Bano.
Besëlidhja: I.Dani, Ndoka, Toma, Ndreka, Grishi, Rustja (Buraku 65′), Perlleshi (Haxhia 46′), Nikolli, Lamnica (Kruja 75′), M.Dani, Ivanaj. Trajner: R.Kulli.
Shënues: Çela 33′
Gjyqtarë: K.Cjapi, I.Tartari, E.Hasanaj (Fier)
Kartonë të verdhë: Toma, Topi

Back To Top