Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja është korrekte, Turbina e ka me gjykimin

Ekipi lezhjan ka barazuar, duke mbyllur gojët e liga, që flisnin për tolerim ndaj cërrikasve
Ishte përfolur shumë gjatë javës se Besëlidhja do të toleronte me Turbinën. Madje, sipas trajnerit Bardhi, ekipi lezhjan ia kishte borxh ndeshjen, pasi para 3 4 vitesh Turbina e paska toleruar në Cërrik, duke e mbajtur në kategori Besëlidhjen. Por fusha e lojës ka treguar se Besëlidhja ishte e vendosur për të luajtur futboll të pastër. Kështu, lezhjanët kanë shënuar qysh në fillim, me anë të Haxhisë, i cili e ka dërguar në rrjetë topin e krosuar saktë nga Kulli. Miqtë nga Cërriku nuk pajtohen me disavantazhin, duke këmbëngulur gjatë te porta e Jakut. Shpërdorojnë raste të pastra Pasha, Sula dhe Kotorri dy herë, por Malluta është i saktë në minutën e 38 të, kur barazon rezultatin në 1 1. Edhe në fillim të pjesës së dytë lezhjanët kanë raste për të shënuar golin e dytë, por topat e goditur nga Danaj dhe Buraku përplasen në shtyllën e portës mike. Në minutën e 73 të Ivanaj nuk gabon, duke i gëzuar të pranishmit e shumtë në stadium me golin e dytë për Besëlidhjen. Por vetëm shtatë minuta ka zgjatur ky gëzim, pasi M.Metaj ua ka ngrirë buzëqeshjen në buzë vendësve, kur e ka prekur aq sa duhet me kokë topin e ardhur nga një goditje dënimi. Janë përsëri lezhjanët që kalojnë në avantazh 3 2, me golin e Tomës, të shënuar nga pika e bardhë e penalltisë. Futbollistët nga Cërriku nuk pajtohen përsëri me humbjen dhe pas tri minutash Roshi ka përsëritur nga mënyra e ekzekutimit golin e shënuar nga shoku i tij në minutën e 80 të. Në të dy rastet e golave të pësuar, Jaku vetëm sa i ka shoqëruar me sy topat që përfundonin në rrjetën e tij, pasi shtati i shkurtër i tij nuk i mundësonte daljen për ta kapur topin para se të goditej nga sulmuesit miq. Eshtë larguar me një pikë dëshpërurese nga Lezha ekipi i Turbinës, por nga mënyra se si luajti dhe luftoi në fushë, duke shpërdoruar disa raste dhe duke e barazuar tri herë rezultatin, ndoshta meritonte më shumë.
Thanë pas ndeshjes
Ritvan Kulli, trajneri i Besëlidhjes: “Hoqa një barrë të rëndë nga supet, sepse mbyllëm gojët e liga për shitje. Për këtë falënderoj djemtë për shpirtin e garës dhe luftën sportive. Patëm shumë mungesa, sidomos porta ishte tepër problematike për ne. Patëm trysni nga kundërshtari, pasi ata luftonin për mbijetesë.”
Sinan Bardhi, trajneri i Turbinës: “Luajtëm jo vetëm kundër Besëlidhjes, por edhe kundër 4 rivalëve tanë në klasifikim si dhe kundër tre gjyqtarëve. Megjithatë, shënuam tre gola dhe duhet të kishim fituar, por ishte e vështirë të mundnim gjyqtarin, i cili kishte marrë bakshish. Do ta denoncoj në organet kompetente. Dua të them edhe një fakt: Besëlidhja ia kishte borxh Turbinës këtë ndeshje, pasi para disa vitesh e ka mbajtur në kategori në ndeshjen e luajtur në Cërrik.”

Besëlidhja Turbina 3:3
Besëlidhja: Jaku, S.Toma, Noka, Shyti, Rrustja, Danaj, Grishi (Buraku 65′), Përlleshi (Ivanaj 66′), Haxhia, Lamnica (Nikolli 46′), Kulli. Trajner: R.Kulli.
Turbina: Guma, E.Metaj, Matraku, Baçi, Papinari (Roshi 68′), Malluta, Pasha, Sula, Kotorri, M.Metaj, Kafazi. Trajner: S.Bardhi.
Shënues: Haxhia 4′, Ivanaj 73′, S.Toma 83′ (11-metërsh) / Malluta 38′, M.Metaj 80′, Roshi 87′
Gjyqtarë: E.Sino, O.Grabocka, N.Rrapo (Fier)
Kartonë të verdhë: Përlleshi, E.Mataj, Kotorri, Baçi, Sula, Mallota

Burimi: Lekë Miraj Sporti Shqiptar


Back To Top