Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, 14 lojtarë nuk e kalojnë “provimin”

Trajneri Bruka ka bërë seleksionimin e parë, por vëzhgimi do të vijojë edhe për të tjerët
Besëlidhja e ka mbyllur javën e parë stërvitore me një ndeshje testuese brenda grupit. Ditë pas dite ekipi lezhjan është mbipopulluar me futbollistë, derisa numri ka shkuar në 40. Duke parë seriozitetin, me të cilin e ka filluar sezonin e ri, si dhe nga afrimi i donatorit Gjok Ndoka, shumë futbollistë kanë udhëtuar drejt Lezhës me dëshirën për t’u bërë pjesë e Besëlidhjes. Kështu, krahas lezhjanëve me përvojë si Ndreka, Alcani dhe Prela, në stërvitje kanë qenë edhe Tanushi i ardhur nga Laçi dhe portieri Selaci, që vitin e kaluar ka qenë në organikën e Besës. Krahas tyre, shumë të rinj nga Lezha dhe qytete të tjera kanë dalë në stërvitje me synimin për të bindur stafin e Besëlidhjes.
Në këto kushte, stafi teknik, me në krye Brukën, vendosi të zhvillonte një ndeshje kontrolli për të parë nga afër aftësitë e çdo futbollisti në kushte loje. Kanë qenë thuajse 4 ekipe, që në këtë fundjavë janë ndeshur ndërmjet tyre në një ndeshje përcaktuese për të ardhmen e shumë futbollistëve të ardhur te Besëlidhja. E ndërsa futbollistët luanin në stadiumin “Brian Filipi”, trajneri Bruka, me laps e letër në dorë, ndiqte veprimet e tyre, duke bërë edhe vlerësimet përkatëse. Krahas vëzhgimit njëjavor, kjo ndeshje ishte provimi përfundimtar, ndërkohë që të pranishëm ishin edhe presidenti Ndoka, sekretari i klubit Vocaj dhe inspektori Lesaj. Por të pranishëm kanë qenë edhe shumë futbolldashës, prindër dhe të afërm të futbollistëve që po testoheshin.
Në përfundim të ndeshjeve testuese, trajneri Bruka u ka komunikuar vendimin e tij dhe të presidentit Ndoka 14 futbollistëvë, të cilët nuk do t’i vazhdojnë përgatitjet me Besëlidhjen. Të mërzitur për njoftimin zyrtar, të larguarit kanë lënë stadiumin dhe tani do të kërkojnë një ekip tjetër. Ndërsa trajneri Bruka i përgjigjet me korrektesë interesimit tonë për ecurinë e punës javore dhe për të ardhmen e ekipit që drejton, duke thënë: “Ishte një javë plot punë, pasi erdhen shumë futbollistë për t’u provuar, të cilët i vëzhguam me kujdes në stërvitje dhe ndeshje kontrolli.
Dhe në fund konkluduam të largojmë 14 prej tyre, por i sqaruam edhe 25 të tjerët se vëzhgimi dhe seleksionimi do të vazhdojnë. Përveç lojtarëve cilësorë dhe me përvojë që kemi afruar deri tani, do të vazhdojmë ta plotësojmë organiken sipas nevojave që kemi. Jemi në bisedime edhe me 2 3 lojtarë të tjerë, megjithëse celulari im bie shpesh dhe kam kërkesa të shumta për të ardhur në Lezhë. Do të afrojmë vetëm lojtarë titullarë, që i nevojiten ekipit, pasi stolin e kemi të plotësuar. Synojmë të formojmë një ekip solid dhe pretendent serioz për superligën, prandaj preferencat tona janë për lojtarë cilësorë dhe që kanë përvojë për rezultate të larta e sfiduese,” - përfundon trajneri i Besëlidhjes, Alban Bruka.
Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top