Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Vocaj: Besëlidhja e re, e gjitha “made in Lezha”

SPORTI SHQIPTAR: Lezhjanët kanë filluar dje përgatitjet, ndërsa shefi i klubit zbulon të gjithë detajet
Nikoll Vocaj, shefi i klubit lezhjan, ka bërë të ditur në intervistën për “Sportin shqiptar” të gjitha detajet e përgatitjeve që do të bëhen për sezonin e ri. Ai sqaron se stafi teknik ka ndryshuar tërësisht, ku trajner do të jetë Alban Bruka, ndërsa presidencën e ka marrë biznesmeni Gjok Ndoka. Mes të tjerash, shefi i klubit thotë se ekipi i sezonit të ardhshëm do të përbëhet tërësisht nga futbollistë vendës, ku do të bëjnë pjesë edhe Ndreka, Alcani dhe Prela. Gjithashtu, sipas tij, nga bashkia dhe presidenca janë të garantuara financat për sezonin e ri.
Z.Vocaj, cila do të jetë Besëlidhja e sezonit 2010 2011?
Baza e ekipit do të jenë futbollistët e sezonit të kaluar. Ne synojmë të formojmë një ekip me futbollistë lezhjanë, kështu që do të afrojmë Alcanin, Ndreken, Prelën dhe ndonjë tjetër.
Po disa futbollistë të rinj, që u testuan dhe u aktivizuan kampionatin e kaluar, a do të jenë pjesë e ekipit?
Po, ata e kanë kaluar klasën dhe do të jenë pjesë e Besëlidhjes së sezonit të ri.
Në këtë grup bëjnë pjesë Kulli, Haxhia, Pjetrushi etj. Ata do të mbahen afër dhe do t’u krijohen hapësira për t’u aktivizuar si titullarë me ekipin. Kemi mendimin që Besëlidhja e re të formohet me lojtarë lezhjanë me përvojë dhe që kanë qenë pjesë e ekipeve të kategorisë së parë, si dhe me të rinjtë që premtojnë për të ardhmen.

- Po stafi teknik, cili do të jetë?
Kryetari i bashkisë, Viktor Tushaj, e ka ndryshuar tërësisht stafin teknik, duke emruar si trajner ish-futbollistin e Besëlidhjes, Alban Brukën. Gjithashtu, kryebashkiaku Tushaj i ka lëshuar postin e presidentit donatorit Gjok Ndoka, i cili është biznesmen nga Lezha dhe anëtar i këshillit bashkiak të qytetit.
Ku do të zhvillohen përgatitjet për sezonin e ri çfarë keni planifikuar?
Ekipi është grumbulluar sot (dje) në mjediset e stadiumit, ku është bërë edhe prezantimi i presidentit të ri dhe stafi teknik. Stërvitja do të vazhdojë në aneksin e stadiumit për dy javë, pas së cilave do të bëhet dhe seleksionimi i futbollistëve që do të përbëjnë Besëlidhjen e sezonit të ri. Pastaj përgatitjet do të vazhdojnë në Razëm ose Theth, kurse gjatë ditëve të fundit të gushtit do të fillojmë ndeshjet miqësore.

A janë të garantuara financat e nevojshme për sezonin e ri?
Po, janë garantuar, pasi rrogat do të paguhen nga bashkia, ndërsa shpenzimet e tjera për kontratat e disa futbollistëve dhe për bazën materiale do të perballohen nga presidenti Gjok Ndoka.
Po për ekipet e sistemit zinxhir, çfarë po bëhet?
Sapo të përcaktohet struktura e aktivitetit për këto mosha nga FSHF-ja, do të caktojmë stafet teknike dhe do të seleksionojmë femijët sipas moshave, për të qenë gati për sezonin e ri.
Kalendari i ndeshjeve të fillimit të sezonit të ri duket disi i veshtirë për Besëlidhjen….
Nuk ka rëndësi, pasi ne do të luajmë me çdo ekip, prandaj, si në fillim, si në fund, për ne është njësoj. Ne synojmë të fitojmë çdo ndeshje në Lezhë, me çdo kundërshtar.
Cili është objektivi i Besëlidhjes për sezonin 2010 2011?
Do të synojmë një nga katër vendet e para të kategorisë së parë.

Back To Top