Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, mungon vetëm një organizator

Besëlidhja e ka mbyllur edhe javën e dytë të përgatitjeve për sezonin e ri pa ndryshime në përbërjen e saj. Trajneri Alban Bruka shprehet i kënaqur për punën e bërë në këto dy javë, kur thotë: “Futbollistët kanë qenë 100% të angazhuar në procesin stërvitor. Grupin pothuajse e kemi formuar, me ndonjë përjashtim të vogel në mesfushë, pasi po mendojmë të afrojmë një organizator. Ndërsa repartet e tjera them se janë të plotësuar. Mendoj se jemi në rrugë të mbarë për të qenë efektivisht pretendentë seriozë për superligën. Presidenti Ndoka po i qëndron afër ekipit çdo ditë, duke plotësuar të gjitha kushtet stërvitore, si dhe duke firmosur kontratën me çdo futbollist. Së shpejti do të nisemi për në Razëm, ku do të vazhdojmë përgatitjet në kushte shumë të mira.”
Ditët e fundit nga ekipi është larguar qendërmbrojtësi shtatlartë Henri Ndreka, i cili ishte bashkuar me Besëlidhjen fazën e dytë të kampionatit të kaluar, duke dhënë një ndihmesë efektive në largimin e ekipit nga zona e rrezikut të rënies nga kategoria e parë. Me pjekurinë dhe aftësitë e tij fizike, ai ishte një trajner i dytë në fushë. Edhe këto dy javë që Ndreka u stërvit me ekipin lezhjan, është dalluar në procesin stervitor, por edhe si një këshillues i afërt për futbollistët e tjerë, duke i orientuar në çdo aspekt. Ndreka është vlerësuar si një pikë kyçe jo vetem në repartin e mbrojtjes, por edhe për ekipin në tërësi, prandaj dhe është një pervojë e munguar te Besëlidhja e Brukës. Arsyet e “divorcit” me ekipin mëmë nuk bëhen të ditura, por presidenca lezhjane, siç duket, e ka nuhatur me kohë mundësinë e largimit të Ndrekës, pasi nuk ka vonuar dhe zëvendësimi i tij me një mbrojtës tjetër shtatlartë. Të premten ka ardhur në Lezhë mbrojtësi Rajmond Shala, duke nënshkruar një kontratë njëvjeçare me drejtuesit e futbollit lezhjan. Shala konsiderohet një pikë e fortë për Besëlidhjen. Ai sezonin e kaluar është aktivizuar me Kastriotin në fazen e parë dhe me Partizanin në fazen e dytë. Vite më parë Shala ka luajtur edhe me Besëlidhjen, duke kontribuar si një mbrojtës energjik, i zgjuar dhe nismëtar në veprimet sulmuese, madje duke shënuar edhe gola.
Me lëvizjet e fundit, drejtuesit lezhjanë sikur ndihen të qetë për sa i takon organikës, pasi synimi i tyre është për të afruar futbollistë vendës. Madje dhe Shala mund të konsiderohet gjysmë lezhjan, pasi është dhëndër në këtë qytet. Fundjavën e kaluar presienti Ndoka u ka parashtruar edhe kontratat futbollistëve të Besëlidhjes. Madje shumica e tyre kanë firmosur, duke u bërë pjesë e ekipit zyrtarisht. Por ende ka edhe ndonjë, që nuk e ka bërë një veprim të tillë, pasi ende nuk është gjendur gjuha e përbashkët ndërmjet palëve. Por pritet që kjo do të realizohet në ditët e ardhshme dhe Besëlidhja do të jetë gati për të udhëtuar drejt Razmës më 12 gusht.

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top