Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja shënjestron futbollistë te Partizani


Pas Shalës te lezhjanët pritet të transferohen edhe të kuqtë të tjerë si Buna, Mustafa dhe Ngjela
Lëvizjet verore të futbollistëve kanë kapur kulmin, por te Partizani pak po shikohet. Është folur se stafi e ka gati organikën e skuadrës së re, e cila është e ideuar në letër, ku pritej vetëm nënshkrimi i kontratave. Parimisht u tha se gjërat janë “kopsitur”, ku baza e Partizanit të sezonit 2010-2011 do të ishte grupi që mbylli kampionatin e fundit. Madje u përfolën edhe disa emra lojtarësh, si Fatjon Tafaj dhe Marius Ngjela, që priteshin si përforcime të “demave të kuq”.
Duke parë kronologjinë e ngjarjeve që kanë ndodhur muajt e fundit në kampin e kuq, në plan të parë flitet vetëm për largime. Para disa ditësh, mbrojtësi Rajmond Shala, i cili u bashkua me të kuqtë në merkaton e dimrit, kaloi te Besëlidhja. Vonesat në firmosjen e kontratve të reja me Partizanin si dhe afrimi i startit të sezonit të ri, i ka shtyrë lojtarët të bisedojnë edhe me ekipe të tjera. Prandaj, në kuadër të kësaj lëvizjeje, mësohet se një tjetër kontigjent i kuq përgatitet të ndjekë rrugën e ish-mbrojtësit Rajmond Shala.
Nga burime të ndryshme mësohet se drejtuesit lezhjanë kanë hyrë në bisedime me të tjerë futbollistë të Partizanit, si dhe me ata që ishin menduar si përforcime të kryeqytetasve. Sipas këtyre burimeve, mësohet se Besëlidhja kërkon që nga Partizani të marrë portierin Arjon Mustafa dhe mesfushorin Qazim Buna, të cilat ashtu si Shala u veshën të kuq në janarin e këtij viti.
Njëkohësisht lezhjanët kanë përparuar në bisedime edhe me sulmuesin korçar Marius Ngjela, i cili mendohej se ishte shumë pranë Partizanit. Ashtu si Shala edhe Ngjela është një njohje e vjetër për Besëlidhjen, kështu që nuk është çudi që sulmuesi korçar të devijojë nga kryeqyteti në drejtim të Lezhës. Situata e turbullt që mbizotëron në kampin e kuq po ndikon për keq, pasi çdo ditë që kalon shtohen emrat e lojtarëve që kanë bërë gati valixhet për t’u transferuar në skuadra të tjera.

Burimi: Sporti shqiptar
Back To Top