Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Bruka: Besëlidhja është në lartësinë e duhur

Rikthimi i mbrojtësit Henri Ndreka konsiderohet shumë i rëndësishëm për ekipin lezhjan
Gjithçka e kanë bërë mirë drejtuesit e futbollit lezhjan këtë vit me objektivin e vetëm për ta futur Besëlidhjen në superligë. Kështu, pasi ka dështuar për tri vite radhazi, bashkia ka afruar biznesmenin Gjok Ndoka për të investuar dhe drejtuar futbollin. Dhe Gjoka e ka filluar me dëshirë dhe seriozitet në krye të Besëlidhjes, duke i qëndrur në këmbë çdo ditë ekipit. Ai ka afruar futbollistë lezhjanë cilësorë, që kanë luajtur me ekipe të kategorisë parë, siç janë Alcani, Prela e së fundmi Ndreka, si dhe ka bërë tri perforcime në portë, mesfushë e sulm përkatësisht me Selacin, Bunën dhe Rizvanollin. Nën drejtimin e trajnerit të ri në moshë dhe në detyrë, Alban Brukës, Besëlidhja e ka filluar punën qysh në korrik, duke bërë një përzgjedhje të kujdesshme të futbollistëve.
Gjithashtu, ekipi lezhjan për 10 ditë është stërvitur në Razëm, në kushte shumë të mira klimaterike dhe dje është kthyer në Lezhë, ku do të vazhdojë përgatitjet dhe ndeshjet miqësore në kuadrin e formatimit të plotë. Në stërvitjen e parë pas kthimit nga Razma me ekipin është bashkuar dhe mbrojtësi i qendrës, shtatlarti Henri Ndreka, i cili është një pikë kyçe jo vetem për mbrojtjen, por për tërë ekipin. Aftësitë e tij fizike dhe përvoja janë një mundësi e shtuar në përbërjen e Besëlidhjes.
Për punën e bërë deri tani, sidomos për atë në Razëm, trajneri Bruka shprehet tepër i kënaqur, kur për “Sportin shqiptar” thotë: “Kemi zhvilluar një fazë përgatitore shumë të mirë deri tani dhe do të veçoja punën e bërë në Razëm, ku kushtet ishin ideale, që nga klima, vendi stërvitor, ushqimi dhe mjetet stërvitore. Edhe përkushtimi i futbollistëve ka qenë në lartësinë e duhur.” Ndërsa për ndeshjet e para të kampionatit, veçanërisht për atë të javës së parë me Apoloninë në Lezhë, Bruka shton: “Vërtet që në fillim të kapionatit kemi ndeshje me ekipe pretendente për superligë, por them se kështu është më mirë, pasi ende ekipet nuk janë në 100%- shin e tyre.
Ende është enigmë niveli i secilit ekip. Pastaj, pak rëndësi ka se kur do të luash me një ekip apo me një tjetër, kur ke si synim të futesh në superligë. Duhet të mendosh për rezultat pozitiv në çdo ndeshje,” - përfundon trajneri lezhjan
Sporti Shqiptar
Back To Top