Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Bruka: Besëlidhja jonë, një grup bashkëpunues

Trajneri lezhjan, Alban Bruka, thekson se ekipi është në rrugë të mbarë
Pas 20 ditësh stërvitjeje dhe disa ndeshjeve testuese brenda grupit, Besëlidhja ka zhvilluar në mesjavë edhe miqësoren e parë, në kuadrin e formatimit të grupit për sezonin e ri. Mysafir ka qenë Mamurrasi debutues në kategorinë e parë, ndaj të cilit Besëlidhja ka fituar thellë, 6 2.
Gjatë 45 minutave të para ekipet kanë luajtur me formacionet më të mira dhe lezhjanët kanë shënuar 4 gola, ndërsa në pjesën e dytë trajnerët kanë bërë shumë zëvendësime, sidomos Bruka, i cili ka hedhur në fushë 11 futbollistë të tjerë, 9 nga të cilët 18 19-vjeçarë. Të pranishmit e shumtë në stadium kanë duartrokitur lojën e bukur dhe kombinacionet plot finesë të Halilit, Haxhisë dhe Pjetrushit, të cilët realizuan dy gola, duke e çuar në 6 numrin e golave të shënuar nga Besëlidhja.
Përgjithësisht, drejtuesit lezhjanë kanë mbetur të kënaqur nga paraqitja e ekipit në miqësoren e parë. Por, trajneri Bruka, krahas vlerësimit pozitiv të lojës, ka shfaqur edhe disa rezerva: “Do të thosha se ekipi tregoi vlera dhe futbollistët i materializuan idetë e mia gjatë lojës, por ende kemi shumë për të bërë, si në drejtim të përgatitjes së grupit, ashtu dhe për reparte e individë të veçantë. Gjithashtu, duam të afrojmë edhe 2 3 futbollistë cilësorë në disa role, ku kemi mangësi,” - shprehet trajneri lezhjan.
Ndërsa për punën që po bëhet në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri, ai shton: “Jam i kënaqur nga përkushtimi i futbollistëve në procesin stërvitor. Ata po punojnë me dëshirë, mbi të gjitha me seriozitet e disiplinë. Presidenti Gjok Ndoka ka krijuar një atmosferë pune, rregulli, serioziteti dhe korrektese reciproke. Ai ka parashtruar kushtet e kontratave dhe çdo futbollist, pasi është njohur me to, ka vënë firmën.
Gjoka flet pak, vetëm një herë, pastaj vepron për të plotësuar kushtet e punës. Kush dëshiron të ecë me ne, vazhdon bashkëpunimin, ndërsa kush e ka me dyshim, hap rrugën. Pra, vazhdojmë të ecim para, pa kthyer më kokën pas. Ai që dëshiron të bëhet pjesë e Besëlidhjes, është i mirëpritur dhe i vlerësuar, ndërsa kush mendon të kundërtën, është i lirë të bëjë zgjedhjen e tij. Ne synojmë të formojmë një grup bashkëpunues dhe me ide.
Me mendime dhe veprime të përbashkëta. Forca e Besëlidhjes do të jetë forca e grupit. Të gjithë janë ushtarë, komandant është vetëm presidenti, kurse trajner jam unë. Them se jemi në rrugë të mbarë. Do të zhvillojmë një miqësore me Burrelin në Lezhë, më 7 gusht, dhe një tjetër me Kastriotin ose Laçin. Më pas do të nisemi për në Razëm, ku do të vazhdojmë përgatitjet. Këto miqësore dhe stërvitja deri më 12 gusht do të na vlejnë për përzgjedhjen përfundimtare të 25 futbollistëve, që do të përbëjnë Besëlidhjen e sezonit 2010 2011,” - ka përfunduar trajneri i Besëlidhjes, Alban Bruka.

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top