Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja dhe Apolonia, barazim pretendentësh

Lezhjanët gabojnë në pjesën e parë, kurse në të dytën reagojnë mirë, por shënojnë vetëm një gol
Pas një ceremonie të organizuar mirë nga drejtuesit e klubit lezhjan dhe shkelmimit simbolik të topit nga ish-futbollisti i Besëlidhjes, sot trajner i saj, Alban Bruka, ka nisur ndeshja me Apoloninë. Eshtë një fillim i qetë dhe lojë e ngadaltë, ku asnjëra skuader nuk guxon të shohë fort nga porta kundërshtare. Futbollistët duken të ngarkuar psikologjikisht dhe gabojnë shpesh në pasim, duke mos arritur të kryejnë 2 3 pasime radhazi. Kalojnë kështu 15 minuta dhe vetëm në të 16 ën Gega godet portën mike, por topi përfundon jashtë. Minutat kalojnë, por zhvillohet pak lojë efektive, pasi në shumë momente ka ndërprerje të saj. Nxitohen futbollistët e të dyja skuadrave, duke e kthyer lojën e futbollit në lojë gabimesh. Madje, nga një gabim i tillë në pasim në mesfushë nga mbrojtësi Shala, përfiton Ribaj, i cili, i vetem i drejtohet portës lezhjane dhe qetë qetë shënon, duke i kaluar miqtë nga Fieri në avantazh. Pas 10 minutash mbrojtja lezhjane gabon përsëri dhe është përsëri Ribaj që shfaqet i vetëm përballë Selacit, por këtë radhë është i pasaktë në goditje. Kështu, me një loje monotone, me shumë gabime nga të dyja palët, përfundon pjesa e parë. Pjesa e dytë fillon me një rast për të sapoaktivizuarin Haxhia, i cili gabon në goditje, duke e fluturuar topin mbi traversën e Hoxhës. I shton përpjekjet Besëlidhja në kërkim të barazimit, por futbollistët gabojnë para portës mike. Lëshohen edhe mbrojtësit Shala dhe Ndreka në ndihmë të sulmit, për të shfrytëzuar shtatlartësinë e tyre. Madje, Ndreka godet bukur me kokë, por po aq bukur pret dhe Hoxha. Dhe janë pikërisht mbrojtësit ata që e barazojnë rezultatin, kur pas një goditje mjeshtërore të Grudës, Haxhia shërben saktë për Alcanin, i cili shënon. Miqtë nga Fieri e shohin se jo vetëm u ikin dy pikë, por po rrezikohen edhe për barazimin dhe i shumëfishojnë forcat në gjysmëfushën e tyre për ta mbajtur sa më larg portës së tyre Besëlidhjen. Por ata nuk harrojnë edhe të kundërsulmojnë dhe e vënë në vështirësi mbrojtjen lezhjane në dy raste. Ribaj gabon në goditje, kur i kishte mundësitë ta ndëshkonte keqas Besëlidhjen. Ndryshimet e bëra nga Bruka në pjesen e dytë kanë rezultuar efektive, pasi Hazhia dhe Halili e kanë rrezikuar portën fierake me depërtimet dhe gjuajtjet e tyre në portë. Duhet thënë se goli i barazimit e ka gjallëruar dhe zbukuruar lojën, sidomos për lezhjanët, të cilët nuk kanë reshtur së kërkuari golin e fitores, por miqtë janë mbrojtur mirë. Loja mbyllet me sulme dhe kundërsulme, me vendësit më afër fitores, që mbeti vetëm dëshirë.
Deklarojnë…
Alban Bruka, trajner i Besëlidhjes: “Pjesa e parë ka sjellë një lojë zhgënjyese nga futbollistët e mi. Nuk e prisja këtë paraqitje. Ndërsa në pjesën e dytë ndryshoi gjithçka për mirë. Them se duhet të vazhdojmë me lojën e ritmin e kësaj pjese. Ekipi është i kompletuar në çdo drejtim dhe rezultatet do të vijnë.”
Ernest Gjoka, trajner i Apolonisë: “Erdhëm në Lezhë për të marrë tri pikët. Ekipi nuk shfaqi vlerat e veta, pasi e pengoi loja e ashpër e futbollistëvë vendës. Nuk e prisja këtë ashpërsi. Ne kishim mundësi për ta fituar ndeshjen, por shpërdoruam në pjesën e parë dhe në të dytën.”

Besëlidhja Apolonia 1 - 1
Besëlidhja: Selaci, Alcani, Ndreka, Shala (Halili 70′), Prela, Noka, Koçi, Muca (Rrustja 44′), Gruda, Gega, Rizvanollii (Haxhia 46′). Trajner: A.Bruka.
Apolonia: Hoxha, Kelmendi, Basriu, Teqia, Ofojen, Gërxho (Nuhaj 68′), Çelaj (Majtara 80′), Goro, Da Silva, Ribaj, Kalemaj.
Trajner: E.Gjoka.
Shënues: Alcani 71′ / Ribaj 32′
Gjyqtarë: A.Janku (Tiranë), E.Bodeci, E.Gançi (Elbasan)
Kartonë të verdhë: Prela, Da Silva, Alcani, Rrustja

Sporti Shqiptar
Back To Top