Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Bruka: Besëlidhja pretendente, nëse mund të kuqtë

Me përforcimet e fundit, Mahon e Pustinën, lezhjanët do të kërkojnë me ngulm fitoren e parë
Pas humbjes me Gramozin dhe analizës së bërë, drejtuesit e Besëlidhjes kanë vendosur ta përforcojnë ekipin me lojtarë të tjerë cilësorë në repartet më problematike, siç janë mesfusha dhe sulmi. Kështu, ditët e fundit janë afruar pranë ekipit ish-futbollistët e Partizanit, Pustina e Maho. Pasi kanë zhvilluar disa seanca stërvitore dhe një ndeshje kontrolli, trajneri Alban Bruka është treguar i gatshëm për t’i bërë pjesë të Besëlidhjes, megjithëse vlerat e tyre i ka njohur edhe më parë. Pra, në stadiumin “Brian Filipi”, ndaj Partizanit do të luajnë edhe këta dy futbollistë. “Pasi federata vendosi se cili Partizan do të merrte pjesë në kampionat, menduam ta përforconim Besëlidhjen me një mesfushor dhe një sulmues, pasi në dy ndeshjet e zhvilluara këto dy reparte nuk funksionuan si duhet, sepse edhe konkurrenca mungonte. Për këtë kontaktuam me Pustinen e Mahon dhe, pasi gjetëm mirëkuptimin e dyanshëm, ata u bënë pjesë e Besëlidhjes, falë edhe presidentit Gjok Ndoka, i cili ua plotësoi kërkesën financiare.
Në ndeshjen e kontrollit, të dy të sapoardhurit shfaqën gjendje të mirë fizike e tekniko taktike. Madje, them se ata shumë shpejt po harmonizohen me veprimet e shokëve dhe të skuadres në tërësi, pasi janë lojtarë të pjekur. Ata do të jenë titullarë në ndeshjen me Partizanin,” - sqaron trajneri i Besëlidhjes, Bruka.
I gjithë opinioni futbolldashës, lojtarët dhe stafi teknik e administrativ i Besëlidhjes, janë optimistë për fitore në ndeshjen e sotme.
Optimizmin e tij, trajneri Bruka e shpreh, duke thënë: “Të gjitha “bateritë” i kemi përqendruar te kjo ndeshje, duke ia lënë harresës humbjen me Gramozin. Skuadra ka reaguar dhe stërvitja e kësaj jave është treguesi më i mirë i përkushtimit, seriozitetit e vlerësimit të ndeshjes me Partizanin. Nuk na falet asnjë gabim, vetëm fitorja na kthen në grupin e pretendentëve.
Për këtë kemi punuar edhe nga ana psikologjike, për ta vlerësuar sa më realisht kundërshtarin.” Ndërsa për mungesen e qendërmbrojtësit Henri Ndreka, trajneri Bruka thotë: “Eshtë një mungesë e ndjeshme, por i kam marrë të gjitha masat, që efekti të jetë sa më minimal. Them që ekipin e kam të gatshëm për të dalë me fitore, gjithmonë me një lojë të bukur, korrekte e rezultative. Këtë optimizëm e lexoj te çdo futbollist.”

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top