Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Vocaj: Besëlidhja nuk gabon dy herë në Lezhë

Sekretari i klubit lezhjan, Nikoll Vocaj, thekson se peripecitë e të kuqve nuk duhen marrë si dobësi
Vërtet kalendari ka qenë disi i egër për Besëlidhjen, kur e ka ballafaquar qysh në fillim me ekipet më të mira të kategorisë së parë, madje pretendente potenciale për superligën. Megjithatë, pavarësisht nga ky fakt, ekipi lezhjan ka dhe kusuret e veta për këtë paraqitje, që nuk përputhet me parashikimet e drejtuesve dhe dashamirësve të Besëlidhjes. Kjo vjen nga fakti se, kur nuk fiton me konkurrentët pretendentë në Lezhë, realizimi i objektivit sikur vështirësohet. Kështu i ngjau Besëlidjes në ndeshjen e parë me Apoloninë, ku mori vetëm një barazim. Ndërsa humbja në Ersekë ka qenë një goditje tjetër, pasi lezhjanët kanë zhvilluar një lojë të mirë në pjesën e parë. Sekretari i klubit, Nikoll Vocaj, për ndeshjen me Gramozin thotë: “E filluam shumë mirë lojën, pasi kishim udhëtuar për në Ersekë me synimin për të mos u kthyer pa pikë. Ekipi u paraqit mjaft mirë në pjesën e parë, kur patëm rast për të shënuar në portën vendëse, por Rizvanolli gaboi në goditje. Ndërsa në pjesën e dytë gabuam dhe për pasojë u goditëm me një gol, që erdhi për shkak të pakujdesisë sonë, por shokues ishte goli i dytë në fund të ndeshjes. Duhet thënë se ishte një ndeshje tepër korrekte dhe me një gjykim shumë të mirë. Pavarësisht se humbëm, gjykimi, sjellja e lojtarëve në fushë dhe e tifozërisë në stadium, ishin korrekte.

” Ndërsa për ndeshjen e radhës me Partizanin në Lezhë, sekretari Vocaj shton: “E kemi analizuar me hollësi ndeshjen e Ersekës, duke nxjerrë gabimet, që patjetër duhet t’i korrigjojmë gjatë javës në stërvitje, pasi kjo është sfida e ekipit. Të gjitha “bateritë” janë përqendruar për përgatitjen e ekipit për këtë ndeshje, sepse nuk na falet të gabojmë dy herë në Lezhë. Para së gjithash, duhet ta vlerësojmë sa më realisht kundërshtarin.
Peripecitë e tij nuk duhen marrë si dobësi, pasi puna në ekip ka vazhduar normalisht. Nga ana tjetër, nuk duhet ta mbivlerësojmë këtë Partizan nisur nga tradita, emri apo fanella, pasi aktualisht ato janë vetëm relike të historisë së Partizanit të lavdishëm. Mendoj se ky fakt është një detyrë e stafit teknik për ta injektuar sa më realisht në mendjen e çdo futbollisti.
Kërkohet përqendrim e angazhim maksimal në fushë për të korrigjuar gabimet dhe për të kthyer besimin te tifozëria lezhjane, që na ka mbështetur në mënyrën më të mirë. Eshtë detyrë e futbollistëve të zhvillojnë një ndeshje cilësore, korrekte, të bukur e rezultative.”

Burimi: Sporti Shqiptar

Back To Top